Media Galeri

Ishulli me 350 dele për secilin banor

I vendosur në Atlantikun e Veriut, midis Skocisë dhe Islandës, arkipelagu i Ishujve Faroe përbëhet nga 18 ishuj vullkanikë dhe njihet për peizazhe dramatike me male të thepisura, ujëvara dhe fjorde mbresëlënëse. Por përtej natyrës së egër dhe bukurisë së rrallë, identiteti i këtyre ishujve lidhet ngushtë me një kafshë të vetme: delen.

Në gjuhën faroese, vendi quhet Foroyar, që do të thotë “Ishujt e Deleve”, një emërtim që pasqyron rolin qendror të deleve në jetën, kulturën dhe historinë e banorëve vendas.

Në Arkivin Kombëtar në Torshavn ruhet një nga dokumentet më të rëndësishme të historisë faroese: Seydabraevid (Letra e Deleve), e shkruar në vitin 1298. Ky dokument përmban ligjet më të hershme të njohura të ishujve dhe rregullon çështje të jetës rurale, si dëmet që shkaktohen nga qentë ndaj deleve, përdorimi i kullotave dhe menaxhimi i tufave.

Ky tekst historik tregon qartë se sa thelbësore ishin delet për ekonominë dhe rendin shoqëror që në Mesjetë.

Për më shumë se një mijë vjet, delet kanë kullotur në shpatet e gjelbra të ishujve, duke ndihmuar në formësimin e peizazhit të ashpër dhe unik. Sot, ato janë më të shumta se njerëzit: rreth 70 mijë dele jetojnë në krahasim me 54 mijë banorë.

Prania e tyre është e pandashme nga jeta e përditshme—ato mund të shihen në fusha, rrugë, madje edhe pranë aeroportit të vetëm të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë