Politike

“Ishte ballafaqim teatral…” Gjergji Hani përballë Lulzim Bashës në Elbasan

Lulzim Basha dhe Gjergji Hani, dy kandidatët për kreun e Partisë Demokratike zhvilluan debatin e parë mes tyre në Elbasan ku media nuk ishte e pranishme.

Basha ndau  fotografi nga takimi një ditë më pas me një qëndrim përgjithësues pa iu referuar kandidatit përballë tij.

“Partia Demokratike do t’u ofrojë shqiptarëve një model që mishëron kulturën e re politike të ndërtuar mbi aktet dhe veprat e qendrestarëve, burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që mbrojtën me vendosmëri vlerat dhe parimet që janë në themel të forcës sonë politike: Aleancë e qartë me partnerët strategjikë; Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit; Për pastrimin e politikës, duke u dhënë fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësues me integritet”  tha Basha.

Ndryshe u shfaq kandidati përballë tij, Gjergji Hani. Ai tha shumëçka mbi atë takim në një koment të gjatë një ditë pas mbledhjes formale.

“Dje në Elbasan u zhvillua ballafaqimi i parë mes kandidatëve në garën për Kryetar të PD. Ky është një hap pozitiv. Demokratët e kanë të domosdoshme të njihen me ata që kanë ambicie t’i udhëheqin. Por, formati i vendosur nga organizatorët nuk mjafton, nuk e realizon misionin e vet. Ballafaqimi duhet që demokratët të bëjnë dallimin mes kandidatëve. Dallimin mes personalitetit, vlerave, besimeve, besueshmërisë, ndershmërisë së tyre. Formati i paracaktuar nuk e jep këtë mundësi për demokratët. Organizatorët dhe kandidati rival i njohin formatet dhe teknikat e debatit demokratik. E dinë si bëhet ky debat në botën demokratike.

Unë u kërkoj organizatorëve dhe i bëj thirrje kandidatit rival të ecim në ballafaqimet e tjera me formatin klasik. Minutazh për prezantimin. Moderator i paanshëm, kohë e caktuar për pyetje nga salla dhe për pyetje ndaj njëri tjetrit. Çdo shpikje që e pengon ballafaqimin pengon garën”, komentoi Hani.

Sipas tij, në Elbasan u përdor një format që e kthen ballafaqimin në shfaqje.

“Ne kemi nevojë për ballafaqim, jo për shfaqe teatri. Falenderoj demokratët e Elbasanit që me mënçurinë e tyre e shpëtuan ballafaqimin e djeshëm. Ata me pyetjet e tyre kapërcyen kufizimet e formatit dhe mundësuan më shumë ballafaqim dhe më shumë transparencë për alternativat, vlerat dhe kredibilitetin e kandidatëve.

Uroj që organizatorët të reflektojnē, në mos nga thirrja ime, nga sjellja dhe vlera politike e demokratëve të Elbasanit”, vërejti ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë