Futboll

Ishte 13 korrik 1930… Niste Kupa e parë e Botës

Me 13 korrik 1930, u zhvillua edicioni i parë i Kupës së Botës në Uruguai, ekip i cili në atë kohë dominonte në sportin e futbollit. Kampionati i Parë Botëror u zhvillua në mes shumë kritikave dhe shumë pesimistëve. Janë disa arsye pse Uruguai u përzgjodh si vend organizator.

Ceremonia hapëse

Uruguai në atë kohë ishte kampion i Olimpiadave 1924 dhe 1928 dhe vendi festonte 100-vjetorin e saj. Kur Federata e Uruguait u ofrua të paguante të gjitha shpenzimet, si shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të ekipeve pjesëmarrëse, u bë e qartë se Uruguai do të zgjidhej si vendi i parë që do të organizonte një Kupë të Botës. Vendet e tjera si Hungaria, Holanda, Suedia, Italia dhe Spanja të cilët kishin shpallur kandidaturën për  të organizuar Botërorin, u tërhoqën në favor të Uruguait.

Eventi më shumë i ngjante një kupe latino-amerikane pasi që vetëm katër kombëtare evropiane morën pjesë në atë Botëror. Belgjika, Franca, Rumania dhe Jugosllavia ndërmorën udhëtimin e vështirë në Montevideo, së bashku me shtatë ekipe të tjerë nga Amerika e Jugut dhe dy nga Amerika e Veriut, duke e çuar në 13 numrin e ekipeve. Çdo vend i anëtarësuar ne FIFA u ftua të marrë pjesë, ku një ndër to ishte edhe Shqipëria. Shumë vende evropiane, refuzuan me arsyetimin që Uruguai ishte shumë larg. Po flasim për vitin 1930; dhe kjo do të thotë se fluturimi nuk ishte ende diçka që mund të përballohej nga të gjithë. E vetmja mënyrë ishte të udhëtoje me anije. Pasi kishin mbetur vetëm 2 muaj nga fillimi i këtij kompeticioni, asnjë shtet evropian nuk ishte regjistruar.

Jules Rimet ndërhyri duke përdorur edhe lidhjet politike. 4 vende evropiane vendosën në minutën e fundit që të merrnin pjesë në Kupën e Botës 1930. Rumania, Belgjika dhe Franca udhëtonin me të njëjtën anije, SS Conte Verde. Me ekipet udhëtonin gjithashtu edhe tre gjyqtarët evropianë dhe Jules Rimet që transportonte trofeun e Kupës së Botës. Jugosllavia ishte i vetmi ekip qe vendosi të udhëtonte me një anije mallrash të quajtur Florida.

Estadio Centenario

Uruguai e vërtetoi që ishte ekipi më i mirë, duke mundur Argjentinën 4-2 në finalen e parë të Kupës së Botës, duke fituar në këtë mënyrë trofeun Jules Rimet. Finalja e zhvilluar më 30 korrik u ndoq nga 93,000 njerëz në stadiumin Estadio Centenario. Gjyqtari belg, John Langenus, i cili drejtoi finalen, kërkoi një sigurim për jetën dhe një anije që të largohej direkt pas finales. Tensioni ishte i lartë gjatë finales. Lojtari argjentinas Luis Monti u kërcënua me vdekje. Finalja u luajt me 2 topa të ndryshëm. Topi 1 u zgjodh nga Argjentina dhe u përdor në pjesën e parë. Topi 2 u zgjodh nga Uruguai dhe u përdor në pjesën e dytë. Kjo u vendos për shkak të mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Ishte gjyqtari John Langenus, i cili e dha këtë ide.

Topi i finales

Ndeshjet u zhvilluan në tre stadiume të ndryshme në kryeqytetin e Uruguait, Montevideo, numri më i ulët në historinë këtij kompeticioni. Estadio Centenario u ndërtua posaçërisht për Kupën e Botës 1930 dhe në kuadër të 100 vjetorit të Uruguait. Fillimisht u planifikua që të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës të zhvilloheshin në këtë stadium, por për shkak se stadiumi përfundoi së ndërtuari vetëm 5 ditë pas fillimit të Kupës së Botës, u përdorën edhe Estadio Parque Central dhe Estadio Pocitos. Gjysëm finalet dhe finalja u luajtën në Estadio Centenario.

Që atëherë janë zhvilluar 21 edicione, ku kryeson Brazili me pesë tituj e ndjekur nga Italia dhe Gjermania me nga katër tituj. Kupa e Botës nuk u zhvillua për 12 vite në kohën e Luftës së Dytë Botërore nga viti 1938 deri më 1950 dhe trofeu ishte ruajtur në një kuti këpucësh në Itali. Turneu i fundit, që u zhvillua në Rusi, pa të përdorej për herë të parë teknologjinë e re të Video Assisted Referee (VAR), diçka e pa imagjinuar në edicionet e mëparshme.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë