Kosova

Ish-presidenti kroat Mesiç: Agresioni në Banjskë ishte përgatitur për të nxitur luftë

Ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç deklaroi se agresioni serb në Banjskë të Zveçanit ishte përgatitur dhe pjesë e saj ishin edhe disa institucione serbe. Madje këto të fundit kanë qenë ato që kanë pajisur grupin terrorist për luftë. Ai ka kritikuar Bashkimin Evropian për qasjen dhe qëndrimet pas 24 shtatorit. Njeriu që udhëhoqi Kroacinë për një dekadë si president vlerëson pozitivisht veprimet e ndërmarra nga institucionet kosovare, të cilat shmangën shkaktimin edhe të më shumë viktimave.

Ish-presidenti i Kroacisë thotë se Kosova është shtet dhe këtë fakt duhet ta kuptojnë të gjithë. “Mendoj se gjithë bota duhet ta kuptojnë se Kosova është fakt, se Kosova është shtet dhe se të gjitha shtetet kanë të njëjtat të drejta dhe të njëjtat marrëdhënie me Kosovën, ndaj duhet njohur ky fakt. Ajo që në Serbi ende nuk e njohin Kosovën, është një problem që ia ka vënë vetes udhëheqja e Serbisë. Prandaj, Serbia nuk ka pse ta njohë Kosovën, e gjithë bota do ta njohë Kosovën, por Serbia nuk ka nevojë, por duhet të lejojë lëvizjen e njerëzve, lëvizjen e kapitalit, lëvizjen e ideve, kështu që duhet të lejojë komunikimin me botën”, deklaron ai.

Mesiç thotë se Kosova duhet ta vazhdojë dialogun. “Po, sigurisht, Kosova gjithmonë ka treguar interes që çdo gjë të zgjidhet në mënyrë paqësore, në mënyrë diplomatike dhe në këtë kuptim, mendoj se Kosova do të vazhdojë të ketë të njëjtat pikëpamje. Qeveria e Kosovës, ata që udhëheqin në Kosovë, ata udhëheqin një politikë evropiane dhe në këtë kuptim duhet që edhe në Serbi t’i kuptojnë faktet dhe të vendosin sipas këtyre fakteve”, shtoi ai.

Sipas tij, në agresionin e grupit terrorist serb në Banjskë kanë pasur gisht edhe disa institucione të Serbisë.

“Sulmi (në Banjskë) ishte i përgatitur dhe në të kanë marrë pjesë disa institucione, të cilat e kanë mundësinë të sjellin njerëz të armatosur me pajisje, domethënë pajisje për luftë, bomba, me mitraloza të rëndë, automjete të blinduara. Gjithçka ishte e përgatitur për një provokim të madh, për të ngritur njerëzit nga rrethinat, që ata të reagojnë dhe pastaj Serbia të shfaqet si ajo që do të zgjidhë gjërat”, shton Mesiç.

Ish-presidenti kroat komenton pozitivisht veprimet e ndërmarra nga institucionet e Kosovës. “Në këtë situatë të vështirë, në një provokim të vështirë, qeveria ka marrë të gjitha masat e nevojshme. Në veprimet e tyre, institucionet e Kosovës vepruan sipas standardeve evropiane dhe i përgëzoj që nuk lejuan që kjo sfidë të shkaktojë edhe më shumë viktima… Serbia ka bërë shumë veprime që bota mund t’i kritikojë; përkatësisht në Serbi nderohen ata terroristë që sulmuan institucionet e Kosovës, të cilët sulmuan Kosovën. Pra, ata vdiqën në një sulm terrorist dhe Serbia i nderon si viktima të politikës shqiptare”, thotë Mesiç.

Nga ana tjetër, Stipe Mesiç thekson se lidershipi i Bashkimit Evropian po gabon me Kosovën.

“Unë besoj se Bashkimi Evropian nuk e udhëheq sa duhet politikën evropiane. Lidershipi i BE-së i kushton më shumë rëndësi asaj se çfarë do të thotë Amerika dhe jo asaj që është në interes të Evropës dhe në këtë kuptim mendoj se lidershipi i Bashkimit Evropian është duke gabuar”, deklaroi Mesiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë