Bota

Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter mbush 100 vjeç: Po pres të votoj për Kamala Harris

Gazeta Si - Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter, mbushi këtë të martë, 1 tetor, 100 vjeç. Prej vitesh i sëmurë terminal, ai ka kaluar 19 muajt e fundit nën kujdesin paliativ në shtëpinë e tij në Xhorxhia.

Sipas mediave amerikane, që i referohen familjarëve të tij, ish-presidenti kërkon të jetojë, duke pasur një qëllim: të votojë për Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të këtij nëntori.

Ai dëshiron ta shohë kandidaten demokrate të mposhtë Donald Trump më 5 nëntor, ditën e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shpresuar të shohë gruan e parë në historinë amerikane të drejtojë Shtëpinë e Bardhë.

Në shkurt 2023, Jimmy Carter, presidenti i 39 amerikan dhe fitues i çmimit Nobel për Paqe, vendosi të largohej nga klinika që e priste dhe "të kalonte kohën që i kishte mbetur me familjen e tij". Askush nuk do të kishte vënë një bast për stabilitetin e tij fizik dhe mendor.

Gruaja e tij Rosalynn - me të cilën ai ishte i martuar prej 77 vjetësh - vdiq më 19 nëntor të viti t shkuar në moshën 96-vjeçare.

Ata u fejuan në vitin 1945. Vitin e kaluar, Jimmy kishte gjetur pak forcë që i kishte mbetur për të qenë i pranishëm në funeralin e saj dhe për t'i dhënë lamtumirën për herë të fundit.

Fotografët kishin përjetësuar një burrë që ishte shumë i dobët, i shtrirë në një karrige me rrota.

Kur Carter u zgjodh president, Amerika pyeti: “Jimmy Who?” (Jimmy kush?).

Suksesi i tij më i madh ishin marrëveshjet e paqes të arritura në Camp David në vitin 1978, midis presidentit egjiptian Sadat dhe kryeministrit izraelit, Begin.

Megjithatë, menaxhimi i pengjeve në Iran gjatë revolucionit të Khomeinit dhe pjesërisht në Afganistan, pas pushtimit të vendit nga BRSS, ishte katastrofik.

Demokrati Carter, një dhjak baptist, ishte president midis 1977 dhe 1981: ai mundi republikanin Gerald Ford dhe më pas u mund nga Ronald Reagan katër vjet më vonë.

Këtë të martë, qyteti Plains, pak më shumë se 200 kilometra nga Atlanta, në juglindjen rurale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Carter lindi në vitin 1924, po përgatitet të festojë në mënyrë madhështore 100-vjetorin e "heroit" të tij. Këtu Jimmy punoi si fermer kikiriku përpara se të kthehej në politikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë