Politike

Ish-presidenti amerikan Bill Klinton zbret në Tiranë, e pret kryeministri Rama

Gazeta Si - Ish-Presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton ka zbarkuar në Tiranë në aeroportin e Rinasit ku është pritur nga kryeministri Edi Rama.

Klinton së bashku me delegacionin e tij mbërritën në Tiranë mesditën e sotme në kuadër të një vizite diplomatike me ftesë të qeverisë shqiptare.

Ish-Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara, do të marrë dekoratën “Ylli i mirënjohjes për arritjet publike”, ndërsa në orën 19:00 do të zhvillohet ceremonia zyrtare e pritjes së tij.

Klinton, një emër i dashur për shqiptarët, pas mbështetjes së tij për Kosovën gjatë luftës do të ketë takime me liderët kryesorë shqiptarë, teksa do të vizitojë dhe disa vende në Shqipëri.

Në orën 19:00 Klinton do të pritet nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare përpara godinës së Kryeministrisë, ku të pranishëm do të jenë dhe qytetarë të rastit.

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i 42-të i SHBA-së Bill Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

Në orën 19:05 Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë Bill Clinton të marrë çmimin e akorduar.

Në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBA-së Bill Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”.

Për të garantuar sigurinë e tij në vizitën 2-ditore në Tiranë, në terren janë angazhuar rreth 700 efektivë policie.

Gjithashtu në kuadër të planit të masave, prej orës 14:00 deri në 15:30 uniformat blu devijuan qarkullimin e automjeteve me sens lëvizje nga Rinasi në drejtim të ish-sheshit Shqiponja, si dhe në disa akse pranë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’.

Të njëjtat masa kufizuese do të aplikohen edhe gjatë së martës, ditë kur ish-Presidenti largohet nga vendi ynë.

Vizita e Bill Klinton, njeriu që udhëhoqi fushatën bombarduese ndaj Serbisë ka një tjetër rëndësi në këto kohë tensionesh në veri të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë