Ngjarje

Ish kryepolici ende e trazon Çuçin: Do e hetoj Nanon dhe për dekonspirimet

Pas mbledhjes së qeverisë sot(7 shtator) ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e zbuloi veten se ende është i trazuar nga ish-Drejtori i fundit të Policisë, Gledis Nanon.

Ky kishte deklaruar për median franceze se aksionet e policisë për të paktën 14 raste janë dekonspiruar. Por ministri i rendit u tha gazetarëve se pikërisht për këtë çështje do të hetojë edhe Nanon.

Kur u pyet a kishte dijeni për policë të inkriminuar, rastet e të cilëve i përmendi Ish-Drejtori, ministri Çuçi ironizoi duke thënë se “Kur nuk e di drejtori i policisë vështirë se do të dijë ministri këtë gjë”.

Kjo qasje ndaj ish-Drejtorit të Policisë e zgjeron pakënaqësinë e ministrit sepse në ditën që u shkarkua nga detyra, Çuçi tha se Gledis Nano nuk kishte përmbushur objektivat dhe asgjë përtej këtij motivi.

“Qeveria mori vendim për shkarkimin Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shkarkim i cili lidhet me mosrealizim të objektivave që kishim vënë për drejtorin e policisë. Kryesisht lidhet me situatën në muajt e fundit, situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë të policisë.

Ka shkallë përgjegjësie deri tani, qeveria ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të Nanos është një masë efikase për të pasur një reagim më të fortë në luftën kundër krimit”, tha Çuçi në 31 gusht.

Por nga intervista e dhënë e Gledis Nanos u kuptua që dobësia e policisë nuk qëndron tek aftësia reaguese por tek dekonspirimi për shkak të policëve të lidhur me krimin.

Gledis Nano është i vetmi drejtor që nuk është larguar nga posti me dorëheqje. Madje ditët e ethshme të lajmeve rreth largimit të tij ai është shprehur se nuk kishte menduar të jepte dorëheqjen dhe as nuk kishte një vendim për t’u larguar.

Vendimin për shkarkimin e tij e kishte marrë qeveria.

Gjatë tetë muajve të vitit 2022, teksa Policia e Shtetit drejtohej nga Gledis Nano, vendi është tronditur nga ngjarje të njëpasnjëshme kriminale, që kanë lënë pas 47 viktima.

Vrasjet lidhen me shkaqe si hakmarrje të kryera përmes skemave mafioze apo edhe për motive të dobëta. Shumë prej tyre nuk kanë ende një autor.

Ndër ngjarjet me të rënda janë vrasja e trefishtë në Fushë Krujë mesditën e 17 korrikut, ku u ekzekutuan Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklent Vata.

Ekzekutimi i dyfishtë në Vlorë paraditen e 18 gushtit ku vranë Shpati Lena dhe Hakim Xhezo.

 Ndërkohë, një nga emrat më të fuqishëm të botës së krimit, ai që konsiderohet si “Mbreti i lojërave të fatit’, Ervis Martinaj është zhdukur, por policia ende nuk ka mundur që të zbardhë vendndodhjen e tij.

Megjithatë gjatë 6 muajve të parë të vitit 2022 ranë në pranga 23 punonjës policie, ndërkohë 188 efektivë janë nën hetim.

Rreth këtyre çështjeve Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano në një intervistë për kanalin francez ka thënë se gjatë kohës që ishte në detyrë, 14 kriminelë janë arratisur për shkak se ishin të informuar për operacionin.

Megjithatë, në dokumentarin ku ai përshkruhet si “i hekurt”, shprehet se ka goditur fort mafian shqiptare.

“Kishim 32 në shënjestër dhe arrestuam 1, 2, 3 ,4 …..Anëtarë të bandave jashtëzakonisht shumë të dhunshme të trafikut të drogës dhe vrasjeve me pagesë”.

Më tej Gledis Nano tha se për shkak të reformës në drejtësi, i është dashur të shkarkojë nga puna shumë kolegë.

“Ka një reformë të drejtësisë që po vazhdon në këto momente. Prokurorë dhe gjykatës janë shkarkuar dhe ne po bëjmë të njëjtën gjë me policët tanë. Kjo gjë do pak kohë. Për këtë arsye me është dashur të sanksionojë shumë kolegë te mi në pozicione shumë të larta në detyrë. U shkarkuan. Kjo gjë sepse nëqoftëse një ditë do duam të integrohemi ne BE, duhet të përmbysim disa rregulla. Një nga këto është lufta kundër korrupsionit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë