Politike

Rama i jep 100 ditë Met Rrumbullakut të nxjerrë policinë nga udhëkryqi: E papranueshme që s’dihet ende fati i Ervis Martinajt, u vra apo jo!?

Gazeta Si - Kryeministri Edi Rama i ka lënë afat 100 ditë drejtorit të ri të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku për ta nxjerrë policinë - siç tha ai - nga udhëkryqi ku ndodhet.

Gjatë prezantimit të kryepolicit të ri të vendit, Rama preku disa çështje të ndjeshme në opinionin publik: që nga vdekja e 7-vjeçares që humbi jetën tragjikisht në Himarë një muaj më parë, deri te zhdukja e Ervis Martinajt.

Për vajzën që humbi jetën pasi u godit nga skafi që drejtohej nga polici Arjan Tase, Rama tha se do të ngrihet një njësi policore në det me emrin e saj, Joniada, për monitorimin e mjeteve ligjore.

Ndërsa për të shumëkërkuarin e drejtësisë, ai kërkoi të dinte se si ka mundësi që policia nuk di të thotë nëse është vrarë apo jo.  

Kreu i qeverisë kërkoi kërkoi me urgjencë që oficerët e policisë “të përlyer” të largohen nga Policia e Shtetit.

“Brenda 100 ditëve policia e shtetit duhet të dalë nga ky udhëkryq kur ndodhet. Ashtu si e ka pasur edhe drejtori i mëparshëm mbështetjen e plotë politike e keni. Telefonatave ju keni për detyrë t’i përgjigjeni për kërkesa në telefon nuk keni detyrë t’i përgjigjeni. Nga cilido qoftë. Ditën që unë do ju marr në telefon për të ndërhyrë atëherë keni të drejtë që ta bëni por kjo nuk do të ndodhë”, tha Rama.

Kryeministri pranon: Gabova në reagimin e parë

Rama ka deklaruar se tragjedia e vogëlushes 7-vjeçare në Himarë rreth një muaj më parë nuk u shkaktua nga shteti.

Duke ndarë dhimbjen edhe me protestuesit në bulevard dhe kryeministri Rama pranoi e gaboi në reagimin e parë pas ngjarjes.

“Bëra gabim që u mora menjëherë me reagimin e parë pas ngjarjes dhe krijova keqkuptimin se e kisha me atë që ishin të tronditur. Por në fakt nuk ishte kështu dhe të gjithë ata duhet ta dinë që jo vetëm i kam mirëkuptuar por me veten time në heshtje i kam përgëzuar me respekt ata djem dhe vajza që u organizuan për të dalë në një protestë paqësore. Natyrisht nuk isha dakord me opinionin e tyre që vogëlushen e vrau shteti por ndaj me ta dhimbjen për ngjarjen”, tha ndër të tjera ai.

Rama theksoi se tragjedia është rënduar edhe më shumë nga profili i autorit, komisarit Arjan Tase. Ai u shpreh se për atë ngjarje nuk ka asnjë ngushëllim dhe kërkoi edhe dënimin më të rëndë për autorin.

“Shkelësi, i cili  u kthye në vrasës, nuk ishte një pushues i zakonshëm, por ishte një punonjës policie që normalisht edhe si pushues duhet të jetë shembulli i respektit për ligjin dhe për rregullin, - u shpreh Rama. - Ky fakt e bëri tragjedinë jo vetëm për prindërit, por edhe për çdo shqiptar, jo thjesht të dhimbshme, por dhe shumë revoltuese për shkak të profilit të autorit. Ajo tragjedi nuk ka sot asnjë ngushëllim”.

Ai nuk la pa përmendur edhe ata që reaguan për këtë ngjarje, politikën dhe median, duke shtuar se shumë sikur pritën që të ikte vogëlushja nga kjo botë që ata të furnizoheshin me urrejtje. 

“Edhe në kulmin e një dhimbjeje ekstreme, ajo familje tregoi një përmbajtje të hatashme, duke mos kërkuar politizimin e fatkeqësisë së tyre. Respekt për ta që në kulmin e dhimbjes së tyre qëndruan njerëzisht lart. Ishte një neveri e gjallë që të pangushëllueshmit u shfaqën ulëritësit profesionistë, në politikë dhe medie, a thua se vogëlushja iku nga kjo botë për të furnizuar me gjakun e saj makinerinë djallëzore të urrejtjes”.

Njësi policore në det me emrin “Jonada”

Për shkak të tragjedisë që ndodhi në Potam të Himarës në fillim të muajit Gusht, Policia e Shtetit do të krijojë një njësi të re policore që do të monitorojë të gjithë aktivitetin me mjetet lundruese në det.

Kjo njësi e re policore do të quhet “Jonada”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Lëvizjen e mjete ujore në bregdetin shqiptar, kreu i qeverisë e konsideron një lëmsh. Dhe për këtë arsye do të nisë një reformë strukturore institucionale për menaxhimin e mjeteve ujore në bregdet.

“Trupat policore të kufirit nuk kanë qenë në lartësinë e duhur, sidomos në bregdetin Jon. Shkarkimi i zinxhirit komandues të policisë kufitare ishte vendimi i duhur por nuk mjafton. Janë 6 Ministri që kanë kompetencat e tyre në det dhe përplasen me njëra-tjetrën. Kjo situatë duhet të marri fund që në sezonin e ardhshëm. I kam kërkuar ministrit të krijojmë njësi speciale policore që do ta quajmë Jonada dhe në vitin e ardhshëm të jetë aktive në monitorimin e ujit dhe nga ajri, duke imponuar rregullat e lëvizjes së mjeteve ujore dhe pa ju rënë në qafë për inerci të gjithë atyre që vizitojnë Shqipërinë përmes ujërave territoriale dhe që nuk kanë asnjë arsye të shohin polic me sy përsa kohë nuk kërcënojnë asgjë”.

Zhdukja e Ervis Martinajt

Kryeministri Rama preku edhe çështjen e kronikës së zezë që ka pushtuar të gjithë vëmendjen e opinionit publik javët e fundit, atë të zhdukjes së Ervis Martinajt.

“Si është e mundur që policia e shtetit ende nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej figurave më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Është e papranueshme që mediat çdo natë janë bërë si Big Brother, jo u vra, jo nuk u vra ai që ishte shumë i kërkuar nga policia. Lajme me luanë, me bamirësa, me oligarkë, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit Shqipëri. Policia nuk di ende ta thotë ‘ore u vra apo nuk u vra’. Kush e ka penguar ta thotë? Kjo dilemë duhet të marrë fund sa më parë”, tha Rama.

Nëse i kërkuari është vrarë duhet t’i thuhet publikut nëse jo t’i dorëzohet policisë, kështu porositi Rama drejtorin e ri të policisë lidhur me zhdukjen e Ervis Martinaj.

“Drejtori i policisë së shteti që merr sot detyrën si një ndër oficeret më jetëgjate, duhet të sigurohet që kjo dilemë të marrë fund. Nëse i kërkuari është vrarë ti thuhet publikut nëse jo të gjendet të kapet ti dorëzohet policisë”, - tha Rama. 

Numri i vrasjeve është përgjysmuar

Teksa flet për punën që Policia e Shtetit ka bërë, ai thotë se policët duhet të jenë mishërimi i ligjit dhe rregullave.

“Në vitin 2012 janë vrarë 125 njerëz dhe krahasimisht gjatë këtyre viteve shifra e vrasjeve është përgjysmuar. Nëse vjet kishim 38 vrasje, sivjet kishim vetëm 30. Ky ishte viti me numrin më të ulët të vrasjeve në 30 vjet, ky është fakt, - tha ai. - Kjo nuk do të thotë se vrasjet nuk janë problem, madje janë problem serioz, sidomos kur bëhet fjalë për ngrënien e kokave të llumit të shoqërisë. Po të shohësh tabelën e të dhënave, Shqipëria është ngjitur drejt mesatares së të dhënave Europiane dhe disa nga vendet e BE kanë më shumë vrasje, ndërkohë që disa nga vendet e rajonit kanë më pak se ne. Kur morëm ne detyrën, Shqipëria nuk dukej fare, sepse 125 vrasje në vit janë jashtë çdo lloj krahasimi me kuadrin Europian. Por Gushti që na solli dhe këtu ku jemi sot, ishte një befasi alarmuese. Një situatë e rënduar jo vetëm më vrasjet por dhe me disa shenja të tjera shqetësuese, pavarësisht se krahasimisht me vitet e mëparshme, me gjithë vrasjet e gushtit ky është viti me numrin më të ulët. Por ky gusht dhe çfarë ka ndodhur në këtë gusht, duhet të shërbejë si shuplakë, dhe të na ngrejë në këmbë drejt objektivave më ambiciozë për Policinë e Shtetit. Si është e mundur që Policia e Shtetit akoma sot nuk e ka një përgjigje, për fatin e njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Është e paparanueshme, që për javë të tjerë ekranet shqiptare janë bërë si BB i kronikës së zezë, jo u vra jo nuk u vra ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia, dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit, lloj lloj legjendash me luanë, bamirës, oligarkë, shto ujë e shto miell, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar dhe Policia e Shtetit nuk di ta thotë, ore u vra apo nuk u vra, kush e ka penguar ta thotë”, tha Rama.

Rritja e pagave për policët

Gjatë fjalës së tij, Rama ka dhënë lajmin se pagat për punonjësit e Policisë së Shtetit do të rriten.

Ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë më parë një raport të tillë respekti, besimi me Policinë e Shtetit.

Pagat ka ardhur koha që të rriten përsëri dhe do t’i rrisim menjëherë sidomos për nivelin bazë, por thënë kjo që do të thotë në thelb se pavarësisht se çfarë thuhet dhe gjithmonë do të thuhet për fat të keq, nuk ka pasur kurrë në historinë e Policisë së Shtetit një raport si ky që ne kemi vendosur me Policinë e Shtetit. Raport respekti, raport besimi dhe raport i bazuar tek mbështetja e plotë politike e të gjithë drejtuesve të përgjithsëm të Policisë së Shtetit.

Përballë drejtuesve të rinj të Policisë së Shtetit, Kryeministri Rama ka deklaruar se në këtë institucion po vendoset një standard i ri.

“Prerja e drurëvë të shtrembër në rreshtat e gjatë dhe të drejtë të Policisë së Shtetit është pjesë e pandashme e rritjes së saj. Ky është një standard i ri, i pamendueshëm deri disa vite më parë, të cilin e ka sjellë pikërisht një politikë e re me Policinë e Shtetit, që nga rekrutimi tani prej kohësh pa parti, pa ryshfet, tek shkollimi e deri tek monitorimi i punonjësve të Policisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë