Drejtësia

Ish-kryebashkiaku socialist i Lushnjës, Fatos Tushe paraqitet në SPAK për mosdeklarim pasurie

Gazeta Si – Ish-kryebashkiaku socialist i Lushnjës, Fatos Tushe është paraqitur paraditen e së kësaj të mërkure në SPAK, i shoqëruar me avokatin e tij.

Sipas asaj që pohoi vetë Tushe, ai është thirrur për një hetim tjetër të nisur ndaj tij, pasi akuzohet për mosdeklarim pasurie. Sipas burimeve, mësohet se Tushes i janë gjetur prona të fshehura në emër të personave të tjerë.

Kur doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Tushe tha se ishte thirrur në lidhje me mosdeklarimin e një pasurisë.

Në vitin 2022, ai u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera për pastrimin e një kanali.

Pasi përfundoi dënimin, kur përfundoi dosja në Apelin e Posaçëm, iu shtua akuza tjetër, për të cilën Shkalla e Parë e shpalli të pafajshëm.

Tashmë Tushe është i lirë, por ka një tjetër procedim penal, që do t’i duhet të përballet sërish me drejtësinë.

GJKKO dënoi Tushen në korrik të vitit 2022 me dy vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre.

Prokuroria e Posaçme Anti korrupsion fillimisht kërkoi dënimin me 5 vite burg për ish kryebashkiakun lushnjar. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi ulje me 1/3 e dënimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë