Drejtësia

Ish-kryebashkiaku socialist i Dibrës Muharrem Rama thirret në SPAK për tenderat

Gazeta Si - Ish-kryebashkiaku i Dibrës, Muharrem Rama është thirrur këtë të martë në SPAK, ku po merret në pyetje nga prokurorët. 

Sipas burimeve paraprake, ai dyshohet për abuzime me paratë publike për një tender të bërë nga Bashkia Dibër për disa kanale vaditëse.

Rama është futur vetëm në SPAK nga dera kryesore e institucionit dhe vijon të qëndrojë në institucion.

Muharrem Rama mori detyrën e kryebashkiakut të Dibrës më shtator të vitit 2016-të, ku zëvendësoi Shukri Xhelilin, të shkarkuar pas publikimit të një videoskandali, ku i kërkonte favore seksuale një vartëseje të tij në bashki në këmbim të një vendi pune më të mirë.

Muharrem Rama, 51 vjeç, ka mbaruar fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1991 dhe e ka filluar karrierën e tij si mjek i përgjithshëm në fshatin Melan të Dibrës.

Ai është specializuar për kirurgji të përgjithshme në vitet 1993-1997, pas së cilit u emërua kirurg në spitalin e Peshkopisë.

Përgjatë viteve të karrierës së tij si mjek, Rama ka mbajtur pozicionin e nëndrejtorit teknik dhe shefit të kirurgjisë në Spitalin e Peshkopisë.

Në tetor të vitit 2016, ai u përfshi në politikën lokale si kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Dibrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë