Lexo me "Si"

Isabel Allende: 100 vitet e mia… si entuziaste

Nuk mund të mos e adhurosh Isabel Allenden. Së pari si grua, pastaj si shkrimtare. Rosella Postorino ia deklaron hapur atë sapo e sheh të shfaqet në ekranin e kompjuterit, me flokët e saj të bardhë të rrethuar nga drita e pastër në studion e saj: “Ti je një entuziaste e ekzistencës. Dhe kjo është një gjë e mrekullueshme, e admiroj, do të doja të dija se si ia del”. Për librin e saj të 25-të, “Violeta”, 79-vjeçarja Allende, përballet me një autore të një brezi të ri, Postorino, 43 vjeç, por e afirmuar tashmë.

Rosella Postorino: Ju keni shkruar katër libra gjatë këtij izolimi (dhe unë asnjë), pyetja është: si ishte për ju të jetonit gjatë pandemisë dhe si ndikoi në shkrim?

Isabel Allende: E jetova mirë pandeminë sepse kisha kohë, heshtje dhe vetmi për të shkruar. Unë u mbylla në këtë papafingo dhe nuk flisja me askënd... Por kam një fondacion që punon me gratë e varfra dhe të rrezikuara, veçanërisht me emigrantët. Dhe pashë që vuajtja ishte e tmerrshme.  

Isabel Allende gjatë intervistës në Zoom

Dhe pse ju Postorino nuk ishit në gjendje të shkruanit? Si e keni jetuar këtë moment të çuditshëm?

R.P: Në fakt po shkruaj tani. Por në bllokimin e parë ishte e pamundur për mua të shkruaja dhe madje të lexoja. Ishte gjëja më e dhimbshme, sepse leximi kishte qenë një strehë për mua që kur isha fëmijë. Edhe pamundësia për të lexuar më bëri të ndihesha më e vetmuar. Unë vetëm mund të rilexoja. Pak sepse, duke rilexuar gjërat që kisha dashur, isha e sigurt se ekzistoja, se do ta gjeja përsëri veten. Dhe pjesërisht sepse e dija se çfarë dhimbje përmbanin ato romane, nuk mund të më lëndonte.

I. A.: Mendoj se është një çështje brezash. Ju jeni e ri, ju duhet të jeni jashtë në botë, në rrugë. Keni nevojë për një jetë shoqërore që ju ushqen. Por unë jam njëqind vjeç...

R. P.: E megjithatë ju mbani një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Cili është sekreti juaj?

I. A .: Para së gjithash, unë kam shëndet, dhe kjo është e rëndësishme. Pastaj jam kurioze për botën, më intereson çfarë ndodh. Unë jam shumë romantike dhe kjo ndoshta – kjo ndjenjë romantike e ekzistencës – më ndihmon.

Libri

R. P.: Kjo ndjenjë romantike e ekzistencës është gjithashtu një konstante në shkrimet tuaja. Dhe avancon me moshën e personazheve, duke iu përshtatur fazave të ndryshme të jetës. A përputhet me biografinë tuaj?

I. A.: Kam pasur gjithmonë dashuri, aventura dhe pasion në jetën time. Sapo u martova në moshën 77 vjeçare! Pasi u divorcova në moshën 74-vjeçare! Dhe nëse jetoj edhe njëzet vjet të tjera, sigurisht që do të martohem përsëri. Për këtë arsye e kam të lehtë ta vendos dashurinë edhe në letërsi…

R. P .: Violeta kalon nëpër lloje të ndryshme dashurie. E para është e qetë, e përmbajtur. Më pas është zbulimi i dëshirës, ​​i erotizmit që ia prish ekzistencën, por përjeton edhe dashuri pasionante që nuk janë të dhimbshme.

Ju thatë se keni qenë të dashuruar gjatë gjithë jetës tuaj: a keni kaluar edhe ju këto lloje të ndryshme dashurie?

I. A.: “Po, gjithashtu. U martova shumë e re me një burrë shumë të mirë, por shumë të mërzitshëm. Unë kam qenë e martuar me të për 28 vjet dhe kam pasur dy fëmijë. Më pas kam pasur një pasion të madh me burrin tim të dytë, me të cilin gjithashtu përfundoi. Tani kam dashurinë e qetë të pleqërisë.

R. P.: Ju thatë që burri juaj aktual ju ka shkruar letra për gjashtë muaj, një në mëngjes dhe një në mbrëmje. Letrat janë një element i përsëritur i shkrimit tuaj. Ju i keni shkruar letra nënës suaj gjatë gjithë jetës. A ka ende njerëz të cilëve u dërgoni letra?

I. A.: Tani nuk kam kujt t’i shkruaj. Ia shkruaja nënës sime çdo ditë, kur ajo vdiq, mendova se do të vazhdoj t’i shkruaja shpirtit të saj. E bëra për gati dy muaj, por ishte artificiale, ishte si të dërgoja një mesazh në një shishe në det dhe nuk e bëra më kurrë. Por kjo korrespondencë e përditshme më mungon që dita e sotme të mos humbasë, të mbetet e shkruar diku. Ndryshe të gjitha ditët janë njësoj, ngatërrohen me njëra-tjetrën.

R. P.: A nuk mbani ditar?

I. A.: Jo, po ju?

R. P.: Unë ndalova së shkruari letra dhe ditarë, mendoj se për mua ato ishin një lloj praktike në të shkruar. Njerëzit të cilëve u shkrova ishin për mua paksa si një audiencë e parë. Dhe kam shkruar edhe letra që nuk i kam dërguar. Isha e dashuruar me një djalë dhe i shkrova shumë letra dashurie që i mbaja në një fletore. Shumë vite më vonë e takova në një festë, i rrëfeva dhe më kërkoi t’i lexonte. Unë u përgjigja: “Jo, nuk kanë vlerë letrare, nuk mundem...

I. A: Nuk duhet të dërgoni kurrë letra dashurie! Sepse atëherë pendoheni. Janë aq të ëmbla sa të vjen turp prej tyre: shkruaji dhe mos i dërgo!

Të mbetemi sentimentale: çfarë “llojesh” dashurie gjenden në jetën reale dhe letrare të Postorinos?

R. P.: Nëse mendoj për romanin tim të fundit, ka dy lloje të ndryshme dashurie, siç ndodh në shumë prej romaneve tuaja. Njëra është dashuri e ligjshme, tjetra është e paligjshme jo vetëm se është klandestine, por sepse është një dashuri me një nazist, që është një gjë skandaloze. Edhe te ju dashuria e ka këtë funksion. Por ka një pikë në veçanti që është ndriçuese për mua: gratë e Allendes janë të forta, rebele, jokonformiste, autonome, por ato vuajnë dhe pranojnë dhunën e mashkullit. Jemi mësuar të mendojmë se viktimat e dhunës nuk kanë mjete apo burime. Por kjo ndodh edhe me gratë e emancipuara, për fat të keq.

Rosella Postorino gjatë intervistës në Zoom

I. A.: Është siç thua ti. Ka një element kulturor, por ka edhe një varësi që krijohet mes viktimës dhe xhelatit. Vështirë për t’u thyer. Violeta ka një varësi pasionante dhe emocionale nga Juliani, magjepset prej tij, që i kushton të shohë veten si viktimë.

R. P.: Modeli mashkullor i Julianit është ai i maçokut, i dhunshëm por edhe vendimtar. Kjo na tregon se edhe gratë më të avancuara mund t'i nënshtrohen një modeli mashkullor patriarkal që u është rrënjosur dhe që vazhdon të ekzistojë.

Mos ndoshta edhe ne femrat po kërkojmë që meshkujt t'i përgjigjen atij modeli?”.

I. A.: Po, është e vërtetë. Por në rastin e Violetës është edhe brezi: ajo ka lindur në vitin 1920. Nuk është një grua moderne, siç jeni ju dhe si jam bërë unë, pavarësisht moshës.

Përkundrazi, gjeneratat e reja duket se janë të vetëdijshme për këtë: djali i Violetës është një djalë i ndjeshëm, me një qëndrim të kundërt me të atin. A ka shpresë te meshkujt e së ardhmes?

I. A.: Në Kili për momentin kemi një president të ri 35-vjeçar (Gabriel Boriç, i cili do të marrë detyrën më 11 mars). Ai sapo ka shpallur ministrat që do të jenë pjesë e qeverisë së tij: 14 gra dhe 10 burra. Një nga pikat e Kushtetutës së re është barazia gjinore. Kemi arritur disa gjëra, por ende shumë mungojnë. Sepse patriarkati është ende këtu, ekziston, nuk ka mbaruar.

R. P.: Për sa më përket mua, ndjej një kontradiktë, një shkëputje. Nga njëra anë, gjeneratat e reja që flasin edhe për tejkalimin e zhanrit. Nga ana tjetër, ka ende përpjekje për të ndryshuar ligjin e abortit, për shembull.

Feja, jeni shprehur ju, është një nga shtyllat e patriarkatit. Ju dhe miqtë tuaj keni krijuar një praktikë alternative...

I. A.: Ne e quajmë atë “grup lutjesh”, por nuk ka asgjë fetare në të. Ne takohemi rregullisht për mbi tridhjetë vjet, praktikojmë meditim në kontakt me njëri-tjetrin, përpiqemi të bëjmë mirë dhe të ndihmojmë ata që kanë nevojë”.

A është e rëndësishme që ato të jenë gra?

I. A.: Vetëm gruaja është shumë e pambrojtur: së bashku jemi të pathyeshme. Kjo është arsyeja pse ne bashkohemi, sepse na jep forcë, energji dhe na bën të qeshim. Ka një gëzim që prodhohet në një grup shumë të bukur femrash.

Marrë nga Corriere della Sera, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë