Ekonomi

Investimet strategjike afat deri në dhjetor 2024. Presidenti dekreton ligji

Nga Gazeta 'SI' - Afati i investimeve strategjike përfundon në dhjetor të 2024-s.

Ndryshimi sapo është dekretuar nga presidenti i vendit Bajram Begaj, duke shënuar të pestën herë që ky afat shtyhet që nga 2015-a.

Në fillim të këtij viti, kur afati i këtij ligji kishte skaduar, socialistët propozuan shtyrjen deri në 2027-n, por u kundërshtua fort nga deputetët e të dyja kaheve.

Afati u shkurtua vetëm në një vit, me shpresën se deri atëherë do të jetë gati ligji i ri integral i investimeve.

Në debatet e komisionit të Ekonomisë, deputeti socialist Erion Braçe ishte i zëshëm për kundërshtinë e tij ndaj këtij ligji, duke thënë se në Shqipëri nuk ndodhin më investime strategjike dhe se nuk mbështet rikthimin e këtij ligji.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku u shpreh në të njëjtin komision se ligji është i porositur nga një grup biznesmenësh dhe se nuk i shërben Shqipërisë. Ajo shtoi se nuk ka ende një vlerësim nga AIDA se si investimet strategjike kanë ndikuar në ekonomi, punësim etj.

Jo vetëm politikanët, por edhe ekspertët e ekonomisë kanë analizuar se ligji për investimet strategjike në Shqipëri nuk ka arritur qëllimin parësor. Në një opinion për Gazetasi.al, ekonomistja Irena Beqiraj tregon se avantazhet për ekonominë e vendit nga investimet strategjike kanë qenë minimaliste dhe kanë prodhuar më shumë dëme se sa përfitime.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë