Futboll

Interi shpëton nga turpi, ish-lojtari i Skënderbeut trondit Konten

Piter Olainka, ish-lojtari i Skënderbeut dhe Bylisit në kampionatin shqiptar, nga sot në mbrëmje do të kujtohet gjatë nga tifozët interistë, natyrisht për keq. Ai tronditi Interin e trajnerit Antonio Konte në ndeshjen e parë në Grupin F në Champions League. Ishte minuta e 63-të, kur zikaltrit nuk u besonin syve, teksa Olainka dërgonte topin në rrjetën e Handanoviç.

Nderin e Interit e ka shpëtuar në një farë mënyre Barela në minutën e dytë shtesë, duke barazuar shifrat në 1-1 dhe duke i dhënë një pikë skuadrës italiane, që bën pjesë në një grup të hekurt bashkë me Barcelonën dhe Borusia Dortmund. Barazimi është dramatik për mënyrën si shkoi loja, por humbja do të ishte tragjike, sepse do të shuante ndoshta që në start shpresat e Interit për kalimin e grupit. Një barazim në shtëpi me skuadrën më të dobët të grupit është një nisje shumë e dobët e zikaltërve.

Lukaku humbet një rast për Interin. Gazeta Si, 17 shtator 2019

Ndryshe nga kampionati, ku Interi ka tri fitore në tri ndeshje, Championsi duket një muzikë tjetër dhe tek Interi e kanë kuptuar menjëherë. Piter Olainka ka lumturuar edhe një herë tifozët e Skënderbeut dhe Bylisit në Shqipëri, me përjashtim të atyre që janë edhe me Interin. Sulmuesi nigerian spikaste dikur me korçarët në Ligën e Europës. Ai u shit te Genti në Belgjikë nga Skënderbeu, ndërsa më pas kaloi te Sllavia e Pragës. Tani ka hyrë edhe në historinë e Championsit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë