Futboll

Interi në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, Asllani fiton derbin me Gjimshitin

Gazeta Si – Në ‘San Siro’ kanë fituar zikaltrit me një gol të Darmian në pjesën e dytë. Tani skuadra e Inzagit pret fituesin e çiftit Juventus-Lacio.

Interi mundi 1-0 Atalantën në çerekfinale të Kupës së Italisë dhe siguroi kalimin në gjysmëfinale, ku do të ndeshet me njërin mes Juventusit dhe Lacios. Në ‘San Siro’ u luajt një ndeshje e ekuilibruar, e vendosur nga një gol i Darmian.

Në pjesën e parë Atalantën e shpëtoi shtylla nga një gjuajtje e Çalhanoglu. Zapata pati një rast të mirë me kokë, por nuk e gjeti golin. Në pjesën e dytë Darmian shfrytëzoi asistin Lautaro Martinëz për të realizuar golin që eliminoi Atalantën.

Berat Gjimshiti luajti 90 minuta në këtë ndeshje me Atalantën. Vetëm në 20 minutat e fundit pati një derbi shqiptar, pasi në fushë u fut edhe Kristjan Asllani, që në një rast iu afrua golit. Gjithsesi, mesfushori kuqezi ka festuar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë