Interi ka arritur më në fund të kalojë të gjitha pengesat për të marrë “Po”-në e të gjitha palëve për transferimin e sulmuesit Romelu Lukaku në Milano. Ishin bisedime pa fund, që me shumë vështirësi janë zhbllokuar. Zikaltërit kanë fituar “betejën” me Juventusin, që për sulmuesin belg bëri disa përpjekje, duke ofruar në shkëmbim edhe Paulo Dibalan.
Marrëveshja është mbyllur në fund mbi bazën e 65 milionë eurove, që shkojnë në arkën e Mançester Junajtid, plus 10 milionë euro bonuse. Lukaku do të kryejë sot vizitat mjekësore dhe më pas do t’i bashkohet Interit në stërvitje, ku trajneri Antonio Konte e pret krahëhapur. Mançesteri e kishte refuzuar disa herë Interin, por në fund është dorëzuar. Sulmuesi belg do të nënshkruajë me Interin një kontratë 5-vjeçare dhe do të përfitojë rreth 9 milionë euro në sezon. Lojtari e kishte shprehur qartë vullnetin për t’u larguar nga Mançesteri, duke qëndruar dy ditët e fundit në Belgjikë, ku ishte stërvitur me Anderlehtin, ndërkohë që Solskjaer e priste të bashkohej me grupin.
![](https://gazetasi.al/wp-content/uploads/2019/08/ro.jpg)
Interisimi i Interit për Lukakun kishte nisur prej më shumë se 6 muajsh, por kishte mbetur pa u konkretizuar për shkak të çështjes “Ikardi”, që ende nuk ka marrë një zgjidhje. Më pas situata u komplikua me futjen në lojë të Juventusit. Edhe vetë lojtari e kishte parashikuar se kjo verë do të ishte shumë e vështirë për të. Mançesteri kishte kërkesa të larta ekonomike për sulmuesin belg, duke parë edhe interesimin e madh të dy klubeve italiane për 26-vjeçarin. Megjithatë, pas insistimit të Interit, gjithçka u mbyll me një akord mes palëve, që ka lënë të pakënaqur vetëm Juventusin, por ndoshta vetëm për momentin, sepse bardhezinjtë ia kanë vënë syrin Ikardit. Për argjentinasin ka dhënë miratimin edhe Kristiano Ronaldo. Pas këtij afrimi te Interi hapet rruga për largimin e MauroIkardit që është jashtë planeve të Kontes, pasi në ditët në vijim mund të afrohet edhe boshnjaku, Edin Xheko nga Roma.
Por lajme të bujshme merkatoje nuk ka vetëm nga Milano. Edhe në Torino po lëvizin ujërat, por këtë herë me firo. Bëhet fjalë për një talentet më të mëdhenj të Juventusit, PaoloDibala, i cili ëhstë shumë pranë kalimit në Premier Ligë. Pasi u sfumua pista Junajtid për shkak të pretendimeve të larta financiare të argjentinasit, sot gazetat italiane dhe ato britanike shkruajnë se është arritur akordi me Totenham.
Skuadra e Poketinos që vitin që vjen do të luftojë për titullin kampion ka ofruar 65 milionë euro për Dibalën dhe një rrogë prej 10 milionë eurosh në sezon. Nuk ka ende asnjë zyrtarizim, por pritet që edhe kjo tratativë të mbyllet brenda ditës së sotme, duke qenë se në Angli pas orës 24:00 nuk mund të bëhen transferta lojtarësh dhe merkato mbyllet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.