Futboll

Interi i ri ‘fut ujë’, një javë për të mbyllur vrimat në mbrojtje

Gazeta Si – Humbja e rëndë me Vilarrealin ka ngritur alarmin në mbrojtje tek Interi. Asnjë ndërhyrje shpëtimtare nga lojtarët e prapavijës në miqësoret e verës dhe vetëm një fitore ndaj Luganos.

Më pak se një javë nga nisja e kampionatit, Interi i ri i Inzagit duket i brishtë. E thonë rezultatet e 5 miqësoreve, ku zikaltrit kanë marrë vetëm 1 fitore dhe asnjëherë nuk e kanë ruajtur rrjetën të paprekur.

E thonë mbi të gjitha 10 golat e pësuar, 8 më shumë se vera e kaluar. Bëhet fjalë vetëm për miqësore, por Inzagi nuk mund ta bëjë gjumin i qetë. Brishtësia në prapavijë nuk duket vetëm një problem i mbrojtjes, por në tërësi i skuadrës.

Asllani ndaj Vilarrealit. Gazeta Si, 7 gusht 2022

Mungon ekuilibri në mesfushë. Dhe zgjidhja duhet gjetur shpejt për të evituar një nisje të gabuar të kampionatit. Katër golat e pësuar ndaj Vilarrealit duhen ekzaminuar me kujdes për të kuptuar çfarë duhet korrigjuar.

Golat e pësuar ndaj Luganos, Monakosë, Lensit dhe Lionit po ashtu nuk kanë qenë të rastësishëm, apo për gabime individuale. Nuk mund të drejtohet gishti te mbrojtësit apo Handanoviç. Dinamikat e golave të pësuar përfshijnë gjithë skuadrën, nga mesfusha dhe lojtarët e krahëve.

Ka munguar kthjelltësia në fazën e vendosjes, për të mos folur për automatizmat dhe distancën mes reparteve, sistematikisht në krizë në sulmet e kundërshtarit. Forma e De Vrij dhe Bastonit pastaj ka bërë të vetën, për të shtuar edhe mbrëmjen e keqe të Asllanit.

Inzagi që në fillim ka pasur si synim t’i japë skuadrës më shnumë siguri në mbrojtje. Ai e dinte mirë për vështirësitë në këtë drejtim. Ajo që nuk kishte parashikuar ndoshta ka të bëjë me lehtësinë, me të cilën kundërshtarët kanë thyer mbrojtjen nga qendra dhe nga krahët.

Mesfusha nuk arrin të bëjë filtrin dhe distancat mes reparteve janë një ‘ftesë’ për rivalin e radhës. Është e qartë, duhet ende kohë dhe 6 ditët e mbetura deri në startin e kampionatit janë thelbësore për të mbyllur vrimat në prapavijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë