Futboll

Interi i Kontes nis me Naingolan, 3-5-2 dhe tre blerje të mëdha

Nuk është një mister tashmë. Interi po bëhet gati për një revolucion të vërtetë në merkaton e verës, duke nisur nga trajneri. Luçiano Spaleti do të mbyllë aventurën dyvjeçare me zikaltërit dhe vendin e tij, sipas të gjitha gjasave, do ta marrë Antonio Konte, opsioni numër 1 i Marotës, i cili ka dorë të lirë nga Suning.

Ish-trajneri i Çelsit, Juventusit dhe Italisë, është favorit përpara Mourinjos, Poketinos dhe Sarrit, sipas asaj që bën me dije “Gazzetta dello Sport”. Duke marrë të mirëqenë emërimin e Kontes në krye të Interit, me siguri skuadra do të rreshtohet me skemën 3-5-2, e preferuara e trajnerit italian. Së pari, Konte do të konfirmojë Raxha Naingolan, por me siguri do të kërkojë edhe një blerje të madhe për mesfushën. Situata nuk ndryshon për Ikardin, me argjentinasin që është shumë pranë largimit dhe kjo do të thotë se për sulmin duhen dy blerje.

Barela, Rakitiç, Eriksen dhe Gundogan, alternativat e Interit pë mesfushën

Formacioni i Interit me Konten trajner, pak a shumë do të jetë ky: Handanoviç i sigurt në portë. Me bllokimin e uruguaianit Diego Godin, mbrojtja nuk do të kishte nevojë për lëvizje të tjera. Skriniar dhe De Vraj japin siguri, jo më kot mbrojtja e Interit është e dyta më e mirë në kampionat aktualisht. Më e komplikuar duket situata në mesfushë, ku Naingolan do të pozicionohej në qendër, pasi Konte e ka dashur këtë lojtar edhe te Çelsi. Interit i duhet një tjetër mesfushor, që do të vendosej përkrah Brozoviçit. Emrat në listë për këtë vend janë Rakitiç, Gundogan dhe Eriksen, pa harruar Barelën.

Në sulm, trajneri italian nuk do të thoshte “jo” për shitjen Ikardit dhe nëse ndodh kështu, ai do të kërkojë Lukakun nga Mançester Junajtid. Alternativa janë Xheko dhe Zapata. Thuajse e sigurt lamtumira e Ivan Perisiç, i cili do të zëvendësohet nga Berguijn i PSV-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë