Futboll

Interi dhe Milani, 1.2 miliard euro për “San Siron” me 60 mijë vende

Interi dhe Milani lëvizin zyrtarisht për “San Siron” e ri. Dy klubet kanë depozituar në Komunën e Milanos masterplanin për stadiumin e ri me rreth 60 mijë vende dhe për rehabilitimin e gjithë ambientit përreth. “Projekti i dorëzuar në institucionin përkatës është hapi i parë zyrtar nga ana e dy klubeve, që kërkojnë të ndërtojnë në zonën e “San Siros” një kompleks urban modern dhe të aksesueshëm, në qendër të të cilit është një impiant sportiv sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”, - shkruhet në komunikatën e përbashkët të dy klubeve. Interi dhe Milani presin një përgjigje pozitive nga Komuna e Milanos dhe pas kësaj do të paraqesin një projekt të kompletuar nga pikëpamja arkitekturore.

“Projekti, - shkruajnë Interi dhe Milani, – parashikon një impiant të ri, me rreth 60.000 vende, në zonën e stadiumit aktual, që është në pronësi të Komunës së Milanos dhe që ua ka dhënë me koncesion dy klubeve. Në projekt është një kompleks multifunksional dedikuar sportit, me dyqane të ndryshme për shoping dhe vende argëtimi, që të përfaqësojë një vend të përbashkët për tërhequr qytetarë, tifozë dhe turistë gjatë 365 ditëve të vitit. Një qendër, ku do të punësoheshin më shumë se 3500 persona.

Stadiumi "San Siro"

Projekti parashikon një investim prej më shumë se 1.2 miliard eurosh, ku 600-700 milionë duhen vetëm për ndërtimin e stadiumit. Milani dhe Interi do ta mbulojnë këtë investim të madh, duke marrë në shkëmbim të drejtën për ta pasur këto dy klube me koncesion stadiumin për 90 vjet. Në këtë rast veprohet me një tender publik, ku dy klubet kanë të drejtën të parët për ta marrë në koncesion stadiumin. Stadiumi i ri do të ndërtohet gjatë rrugës “Tesio”, duke zënë një pjesë të zonës ku shtrihej pallati i vjetër i sportit. Zonat e shërbimit, të dyqaneve dhe restoranteve, dhomave të zhveshjes për futbollistët, zonat për shtypin, anën teknike dhe parkimin, do të zënë një sipërfaqe prej rreth 127.000 metrash katrorë. Hapësirat josportive në pjesën lindore të stadiumit do të krijohen përreth një sheshi-park. Në projektin e Interit dhe Milanit janë edhe qendra tregtare, një hapësirë për argëtim dhe tre ndërtesa, që do të shërbejnë për shërbime të tjera, për zyra, hoteleri dhe konferenca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë