Futboll

Inter për titull, 7 objektivat e mëdhenj në merkato

Me sigurimin e pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm, Interi është duke menduar për merkaton. Këtë vit sesioni i transferimeve pritet të jetë më i nxehtë se kurrë në shtëpinë zikaltër. Pas 9 viteve thatësire, te Inter janë të bindur se viti ardhshëm është i duhuri për t’u futur në luftën për titullin kampion. Ikardi, Perisç, Joao Mario, Brozoviç dhe shumë “yje” të tjerë të Interit duket se janë me valixhe në duar verën e ardhshme, por drejtuesit e Interit më shumë po mendojnë për afrimet. Dhe në këtë pikë askush nuk ka dyshime se te Inter tashmë flitet për emra “big” që mund t’i çojnë pretendimet e klubit zikaltër në një tjetër nivel. Mediet në Itali flasin për 7 emra që po ndiqen nga afër nga Auzilio dhe Marota dhe gjatë verës do të kemi tentativat për t’i transferuar në Milanon zikaltër.

Për mbrojtjen, që duket të jetë reparti me më pak nevoja për momentin, pasi erdhi edhe Diego Godin, Interi pritet të shqyrtojë ndonjë variant “low cost” brenda Serisë A. Ndërsa mesfusha është reparti ku te Inter po mendojnë për një revolucion të vërtetë. Rakitiç, Toni Kros, Palcios dhe Kovaçiç, janë katër nga emrat që po përfliten më shumë, por pa përjashtuar edhe disa të tjerë. Për Rakitiç pati disa zëra gjatë janarit, por për kroatin problemi më i madh është rroga e tij. I njëti problem paraqitet edhe për Toni Kros që duket i destinuar për t’u larguar nga Real Madrid këtë verë. Një rikthim i bukur mund të ishte ai i Mateo Kovaçiç, por edhe afrimi i talentit Palacios nga Argjentina është një pistë intriguese për drejtuesit e Inter.

Ndërsa sulmi është një "ekuacion me shumë të panjohura" te Inter. Ikardi dhe Perisiç duket se do largohen nga Interi, por edhe kjo është një enigmë, pasi nëse do të ndërrohet trajneri, të dy mund të ndryshojnë mendje dhe të rinovojnë në Milano. Në varësi të vendimit të këtyre dyve do të vazhdojë edhe Inter merkaton për këtë repart. Emrat deri më tani të përfolur janë të mëdhenj dhe të shtrenjtë. Edin Xheko, Duvan Zapata, Mousa Dembele i Lionit, por edhe Malkom i Barcelonës janë vetëm disa nga emrat që përfliten se mund të veshin fanellën e Interit verën që vjen. Të gjithë mund të bënin punë te Inter, por çdo gjë do të varetë nga vendimet që do të marrin Ikardi dhe Perisiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë