Futboll

Inter-Juventus, thikë më thikë. Milani shet Kutronen në Angli

Pritje e dyfishtë Lukaku-Inter dhe Juventusi provon të bëjë një lëvizje të befasishme për t’i shqetësuar zikaltrit. Kthimi në Itali i Marotës dhe Auzilios, dy drejtuesve të klubit nga Milano, kanë vënë në lëvizje makinën e merkatos së Interit. Trajneri Antonio Konte është në pritje të sulmuesit dhe tani më shumë se kurrë ai mund të humbë përfundimisht Romelu Lukakun.

Drejtuesve të Interit u është bërë e qartë në Kinë: nuk mund të shpenzohen 83.5 milionë eurot që kërkon Mançester Junajtid për sulmuesin belg, sepse duhet respektuar “fair-play”-i financiar. Ka vetëm nj shans për Lukakun, që klubi anglez të bëjë një hap prapa dhe të pranojë ofertën e 65 milionë eurove nga Interi, një ofertë e refuzuar më parë. Por edhe këtë shumë klubi zikaltër mund të paguajë, nëse bën shitje të rëndësishme, siç mund të jenë Mauro Ikardi dhe Ivan Perisiç. Këtë moment kërkon ta shfrytëzojë Juventusi, që duket se ka bërë hapa përpara.

Dibala, i kërkuar nga Mançester Junajtid, në shkëmbim të Lukakut

Drejtuesit e Mançester Junajtid kanë bërë një propozim interesant për Juventusin: ta shkëmbejnë Lukakun me Paulo Dibalën. Nuk është thjesht një fantazi merkatoje. “Djajtë e kuq” e kanë seriozisht për sulmuesin argjentinas të Juventusit, i cili nga ana e tij po bën gjithçka për të bindur trajnerin Mauricio Sarri për të qëndruar në Torino. Nëse shkëmbimi realizohet, Interi duhet të bëjë gjithçka për Xhekon, ndoshta duke rritur ofertën për boshnjakun e Romës.

Zhvillime konkrete ka pasur në kampin e Milanit. Sulmuesi i ri, Patrik Kutrone, ka lënë ekipin dhe duhet të bëhet gati për të luajtur në Premier League sezonin e ri. Klubi kuqezi ka arritur akordin me drejtuesit e Volverhemptonit për sulmuesin italian, shitja e të cilit do të sjellë 18 milionë euro në arkën e Milanit. Nuk janë pak në këtë moment, kur ky klub duhet të rregullojë bilancin financiar. Kalimi i Andre Silvës te Monako dështoi, ndaj dhe shitja e Kutrones duket “oksigjen” për kuqezinjtë, sepse 18 milionë euro nuk janë pak. Gjithçka duket e mbyllur dhe pritet vetëm zyrtarizimi i lëvizjes.

Sulmuesi Patrik Kutrone kalon nga Milani te Volverhempton

Lajme të këqija ka marrë së fundi trajneri i Napolit, Karlo Ançeloti, sepse sulmuesi Pepe do të shkojë në Angli. Lojtari i Lilës është kërkuar me ngulm nga Ançeloti, por tashmë duket se ka një marrëveshje mes klubit francez dhe Arsenalit për sulmuesin në fjalë. Kjo do të thotë se Napoli duhet të kërkojë një sulmues tjetër dhe me shumë mundësi do të bëjë përpjekjet e fundit për Mauro Ikardin. Çdo minutë mund të sjellë zhvillime konkrete në merkaton e skuadrave të mëdha në Itali, për shkak të efektit “domino”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë