Futboll

Inter fitore me vuajtje, Juventus “shtyp” edhe Torinon

Javën e 16-të të Serie A e kanë nisur Juventus dhe Inter. Zikaltërit pritën në shtëpi, Udinezen, duke fituar ngushtësisht 1-0, ndërsa bardhezinjtë nga ana tjetër triumfuan në derbin me Torinon po në shifrat 0-1.

Interi i Spaletit pas atij barazimi zhgënjyes me PSV në Champions League, këtë të shtunë ka vuajtur shumë për të marrë tre pikët. Udineze u mbyll mirë në mbrojtje dhe i bëri rezistencë sulmeve të një pas njëshme të Inter që kërkonte me ngulm golin dhe fitoren. Vetëm në minutën e 76’ zikaltërit do të gjenin golin e fitores me anë të të përhershmit, Mauro Ikardi nga pika e bardhë e penalltisë. Skuadra e Spaletit provoi të shënonte golin e dytë, por në disa raste mund edhe ta pësonte nga kundërsulmet e rrezikshme të miqve nga Udine. Gjithsesi deri në fund shifrat mbetën njëlloj dhe kështu Inter rikthehet te fitorja pas largimit nga Champions dhe humbja me Juventus një javë më parë.

Torinezët nga ana tjetër vijojnë kampionatin me veten e tyre. Këtë herë “viktima” e radhës e skuadrës së Alegrit ishte Torino. Në një përballje derbi, ai që do të vendoste, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, por Kristiano Ronaldo. Portugezi e realizoi golin në pjesën e dytë nga pika e bardhë e penalltisë. Torino ishte e pa fuqishme për të reaguar dhe mbetet në kuotën e 22 pikëve në vendin e 6. Juventus nga ana tjetër nga 48 pikët e mundshme që mund të merreshin deri në këtë fazë të kampionatit, ka arritur të grumbullojë vetëm dy më pak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë