Futboll

Inter dhe Juve ‘pushtojnë’ merkaton, dy talente shumë pranë zyrtarizimit

Interi dhe Juventusi po projektohen si dy ekipet që do duelojnë për kreun e kampionatit italian në sezonin e ri. Me torinezët që synojnë të ruajnë titullin kampion e me sytë nga Champions dhe Interin e Kontes që kërkon të rikthehet protagonist, edhe merkato ka qenë në këto nivele. Të dyja klubet i kanë bërë disa lëvizje të bujshme deri më tani, por në këtë fundjavë pritet ‘shpërthimi’.

Tek Inter në këto momente ka vetëm një emër. Quhet Nikolo Barela dhe në këto momente ka mbërritur në Milano për vizitat mjekësore dhe brenda së shtunës pritet të vijë dhe prezantimi zyrtar dhe firma në kontratë. Talenti italian u kërkua me ngulm nga Antonio Konte dhe ishte pjesë bazë e projektit të ri të Interit. Te Kaljari ai ishte lider edhe pse në moshë të vogël dhe te ziklatërit do i kërkohen të njëjtat gjëra që ai bën më së miri. Kontrollin e lojës në mesfushë, thyerja e aksioneve kundërshtare dhe asiste për sulmuesit janë udhëzimet kryesore që Konte do t’i kërkojë 22-vjeçarit sapo ai t’i bashkohet grupit në Lugano. Inter ka shumë besim tek ai, pasi jo më kot do të bëhet dhe lojtari i blerë më shtrenjtë në histori për këtë klub. Janë plot 45 milionë euro që zikaltërit do të shpenzojnë për të dhe Kaljari do të ketë kështu një shumë të madhe në dispozicion për të ndërtuar një ekip që të sigurojë qëndrimin në Serinë A pa shumë probleme.

Ndërsa te Juventus, kjo e premte është “Mathis De Ligt day”. Pas më shumë se 1 muaj tratativa dhe lajme pa fund, holandezi është gati për të zbarkuar në Torino. Do të jetë mbrojtësi më i shtrenjtë i blerë ndonjëherë nga një ekip italian dhe një nga adoleshentët më të çmuar në gjithë historinë e futbollit. Palët kanë rënë dakord dhe Paratiçi me Anjelin kanë arritur ta bindin Ajaksin me 80 milionë euro, pasi më herët kishin bindur vetë mbrojtësin që t’i bashkohej kampionëve italian. Me Bonuçin dhe De Liht në qendër të mbrojtjes Juventus i jep kështu fund probleme në repartin difensiv, që ishin vendimtare në edicionin e fundit të Ligës së Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë