Kosova

Intensifikimi i bisedimeve për dialogun me Serbinë, Lajçaku sot në Kosovë

Nga Gazeta ‘Si’- I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të jetë sot (30 janar) në Kosovë, ku do të bisedojë me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialogun e Brukselit.

Një ditë më parë, ai ishte në Beograd, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilin përveç tjerash diskutoi edhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Lajçak në rrjetin social “X” tha se janë adresuar disa çështje specifike që janë aktualisht në agjendën e dialogut.

I dërguari i BE-së për dialogun paralajmëroi po ashtu një takim midis dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviç nga Serbia, i cili sipas tij mund të ndodhë së shpejti në Bruksel, për të vazhduar me negociatat.

Sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, po i kryen këto vizita në Beograd dhe Prishtinë, në përpjekje për të çuar përpara dialogun.

“Bisedimet me presidentin Vuçiç në Beograd dhe me homologët kosovarë në Prishtinë, janë pjesë e mandatit të tij, janë pjesë e punës dhe përpjekjeve të tij të vazhdueshme në drejtim të ndihmës së të dyja palëve për të çuar përpara dialogun”, theksoi Stano.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë