Politike

Integrimi, Balla: Duhet bashkëpunim. Hajdari: Jemi keq me korrupsionin

Sa herë që bëhet fjalë për integrimin, mesazhi kryesor që përçohet është nevoja për bashkëpunim.

Edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se integrimi evropian i vendit kërkon bashkëpunim të gjithanshëm, në një kohë kur pritet të vendoset se kur do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, e cila shënon zyrtarisht nisjen e procesit për anëtarësim në Bashkimit Evropian.

“Kjo mbledhje zhvillohet në një moment të rëndësishëm të rrugës sonë evropiane. Jemi në prag të marrjes së një vendimi për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ky këshill i takon të përcjellë një mesazh inkurajues për këtë proces jetik.

Sot do të njihemi me njërin prej kapitujve, atë 23, i cili së bashku me atë 24 kanë rëndësi të veçantë. Duke pasur parasysh edhe rolin dhe lidershipin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, synojmë që të rritet sa më shumë transparenca dhe llogaridhënia.

Kuvendi duhet të marrë rolin që i takon, atë të kontrolluesit të institucioneve të tjera. Kuvendi ka shërbyer si urë lidhëse mes institucioneve të përfshira në integrimit evropian. Kuvendi do të monitorojë zbatimin e planit të veprimit. Secili prej institucioneve ta lexojë me vëmendje planin”, tha Balla.

Nga ana e saj, kryetarja e këshillit për integrimin, Rudina Hajdari, tha se raportet ndërkombëtare tregojnë përkeqësimin e situatës së korrupsionit në vend.

“Indeksi i korrupsionit shënoi sërish përkeqësim. Sipas TIA, Shqipëria ka humbur 7 vende nga viti 2019. Raporti i DASH për klimën e investimeve për vitin 2020, e citon Shqipërinë si një nga vendet e vështira për të bërë biznes. Shqipëria është përfshirë sërish në listën gri për pastrimin e parave. Ne jemi i vetmi vend në rajon pa një Gjykatë Kushtetuese dhe një Gjykatë të Lartë, i cili po thuajse nuk ekziston.

Referuar reformën zgjedhore është kryefjala e takimeve të mbajtura së fundmi. Duke vlerësuar vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave, është vetëm nisja e një rrugëtimi shumë të gjatë”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë