Ekonomi

Instituti i Vjenës rrit me 2% parashikimin për ekonominë e Shqipërisë: Ndihmoi turizmi dhe konsumi

Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë ndërruar gjithashtu parashikimin për ecurinë ekonomike të Shqipërisë në sezonin e vjeshtës me 1.9% më shumë se në sezonin e pranverës.

Sipas ekspertëve të Vjenës, ekonomia e Shqipërisë do të rritet këtë vit me 6.4% nga 4.5% që ishin pritshmëritë më herët. FMN pret një rritje prej 7.8% dhe Banka Botërore prej 7.2%.

Sipas ekspertëve të Institutit të Vjenës zhvillimi pozitiv i ekonomisë së vendit tonë i atribuohet sektorit turistik.

“Sektori i turizmit ka pasur një vit mbresëlënës dhe po i afrohet nivelit të tij para pandemisë. Rritja do të udhëhiqet nga investimet dhe nga kërkesa optimiste e jashtme dhe e brendshme, por rreziqet negative do të rrjedhin nga tregjet ndërkombëtare dhe kërcënimet që vijnë nga zhvillimet pandemike” analizojnë ekspertët.

Instituti i Vjenës pret që ekonomitë e 23 vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) ku bën pjesë edhe Shqipëria të rriten me 5.4% këtë vit. Pritshmëritë u rishikuan me rritje prej 1.2 pikë përqindjeje, krahasuar me pranverën. Vendet që do të kenë rritjen më të lartë janë Turqia (9.1%), Mali i Zi (8.4%) dhe Moldavia (8%), edhe pse dy vendet e fundit do rriten për shkak të bazës shumë të ulët.

Rimëkëmbja e Shqipërisë në formë “V” sugjeron që ekonomia është përsëri në rrugën e duhur dhe do të mbetet e shëndoshë. Rritja e PBB-së do të përshpejtohet në 6.4% në 2021 dhe do të vijojë mbi 4.5% në një periudhë afatmesme, sugjerojnë ekspertët e Vjenës.

Ekspertët e Vjenës analizojnë se në vitin 2021, Rajoni i CESEE ka të ngjarë të rritet ndjeshëm më shpejt se Zona e Euros (4.8%). Rajoni kaloi nivelin e parakrizës të vitit 2019 në tremujorin e dytë.

“Performanca e fortë e ekonomive të Europës Lindore shpjegohet kryesisht me rregullat më pak strikte të COVID në shumë vende, dhe me faktin se sektori i shërbimeve është shumë më i vogël se në Europën Perëndimore” , thotë Vasily Astrov, Ekonomisti Lartë në “WIIW” dhe autor kryesori raportit të Parashikimit.

Eksportet gjithashtu po rriten ndjeshëm për shkak të kërkesës globale dhe rimëkëmbjes së turizmit. Megjithatë, prodhimi industrial në shumë vende të rajonit po vuan nga mungesa e lëndëve të para.

Papunësia gjithashtu mbetet një problem në shumë vende, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, por në të njëjtën kohë, ka mungesa të fuqisë punëtore në ata sektorë që janë zgjeruar pas krizës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë