Gazeta Si – Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake në Tiranë, kanë zbarkuar mëngjesin e të enjtes për kontroll në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, pranë ish-kompleksit sportiv “Dinamo”.
Administratori i shtëpisë së futbollit, Hasan Gurabardhi, tregoi se ishin dy inspektorë nga IMT-ja e Tiranës për të kontrolluar dokumentacionin e lejes së ndërtimit të shtëpisë së futbollit, ku hyjnë zyrat e Federatës, dy ministadiumet, fizioterapia dhe fusha që janë duke përfunduar.
“Duket i çuditshëm pse vijnë sot, kur ndërtimi dhe leja e ndërtimit është dhënë në vitin 2017 dhe erdhën çuditërisht sot. I vumë në dispozicion lejen e ndërtimit. Ndërtesa ka nisur 5 vite më parë dhe u habitëm pse erdhën”, tha Hasan Gurabardhi.
Një gjë e tillë ndodh në kulmin e një konflikti të ndezur mes FSHF-së dhe Bashkisë së Tiranës në prag të zgjedhjeve për kreun e ri të federatës që do të mbahen në 2 mars.
Në media, FSHF publikoi një audio-përgjim të bërë në mbledhjen e anëtarëve të komunitetit të futbollit dhe Shoqatës Rajonale Tiranë, të drejtuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Po atë mbrëmje, 24 janar 2022, pak orë pas publikimit të audio-përgjimit shpërtheu një sasi dinamiti në banesën e presidentit të FSHF-së Armando Duka në Durrës.
Policia arrestoi për këtë ngjarje 34-vjeçarin Arlen Hasanaj, i cili ka mbajtur një qëndrim mohues, duke thënë se nuk është ai autori i vendosjes së tritolit.
Më herët, UEFA, përmes një reagimi shprehu shqetësimin për ndërhyrjen e politikës në FSHF dhe lajmëroi se shumë shpejt do të sjellë disa zyrtarë në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.