Drejtësia

Inskenoi vdekjen për t’i shpëtuar borxheve/ Teksa pritej ekstradimi në Shqipëri, gjykata italiane liron nga burgu Davide Pecorelli

Davide Pecorelli, 47 vjeç, biznesmeni nga San Giustino, i cili inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri në janar të vitit të kaluar në tentativë për t’i shpëtuar borxheve në vendin e tij, do të lirohet nga burgu. Një vendim i tillë është marrë vetëm 2 ditë pas arrestimit të tij me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Mediat italiane raportojnë se Pecorrelli do të lirohet nga burgu pas përfundimit të procedurave, vendimi ky i marrë nga Gjykata e Apelit me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm, i cili kishte kërkuar shpalljen e arrestimit si të pavlefshëm.

Pecorelli akuzohet nga autoritetet shqiptare për mashtrim, deklarime të rreme, pengim të drejtësisë, dëmtim të pronës, zjarrvënie dhe kalim të paligjshëm të kufirit.

Ditën e shtunë, pas arrestimit të tij, reagoi edhe policia shqiptare e cila tha se pritet ekstradimi i tij.

“Finalizohet nga Policia italiane, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, operacioni policor i koduar “Perugia”.

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas italian, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie nga Gjykata e Pukës, për një sërë veprash penale. Arrestimi i 47-vjeçarit, nga Policia italiane mbrëmjen e sotme në Perugia, u bë me qëllim ekstradimi drejt vendit tone”, shkruhej në njoftimin e policisë së shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë