Drejtësia

Inskenoi vdekjen e tij në Pukë, Gjykata e Shkodrës dënon me 4 vite burg italianin Davide Pecorelli

Gazeta Si - Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 4 vite burg italianin Davide Pecorelli, i cili inskenoi vdekjen e tij në Pukë dhe që më pas u rishfaq në Itali në mënyrë të papritur.

Ai akuzohet për zjarrvënie, shkelje të kufijve kombëtarë shqiptarë si emigrant ilegal dhe pengim për zbardhjen e së vërtetës.

Pecorelli ka qenë i përfaqësuar nga dy avokatët e tij Andrea Castori dhe Massimo Brazzi. Prokurori i çështjes ka kërkuar 12 vite burg, ndërkohë që gjyqtari i Shkodrës Arbër Çela i ka dhënë 4 vite burg, që sipas gjyqtarit mund të pezullohet me kusht ose të shndërrohet në punë të dobishme shoqërore.

Ndërkohë që për ekstradimin e tij, seanca dëgjimore para Gjykatës së Apelit të Peruxhias për të vendosur kërkesën për ekstradim të Pecorelli-t është caktuar për 28 maj 2024 e cila, megjithatë, aktualisht nuk duket të jetë e ekzekutueshme.

Vetë Davide Pecorelli është shprehur se shumë shpejt do të jetë në Shqipëri (Vlorë) për të qartësuar  historinë që ai vetë inskenoi.

Nga hetimet e policisë së Peruxhias, rezultoi se në janar të vitit 2021, 47-vjeçari, për të shmangur borxhet financiare të kontraktuara në Itali, i kishte vënë flakën makinës së marrë me qira në Shqipëri. Brenda automjetit u gjetën eshtrat e një personi, për të bërë më të besueshëm vdekjen e tij. Më pas ai u gjet i gjallë më 17 janar 2021, në ishullin Montecristo (Itali).

Historia e biznesmenit me një të shkuar si arbitër futbolli në kampionatet italiane, është tragjikomike. Ai u vu në pranga në vitin 2022 në Itali, pasi kishte simuluar vdekjen e tij në Pukë dhe më pas rrëfeu se kishte takuar një prift.

Deri këtu çdo gjë duke reale, por më vonë fillon edhe merr forma surrealizmi. “Takova një prift që më sugjeroi një mënyrë për të dalë nga kjo gjendje mjerimi, pretendimi për të vdekur në një aksident rrugor. Mora me qira një Skoda Fabia. Më 6 Janar 2021 e lamë me benzinë dhe i vumë flakën në Shkodër. Për ta bërë aksidentin të dukej i vërtetë hodha orën, celularin dhe disa kocka që m’i kishte sjellë prifti”, tregoi Pecorelli.

Më pas ai shkoi në Medjugorje, Slloveni në një komunitet të vogël. “Kryetari i komunitetit më ofroi një punë të vogël, domethënë të gjurmoja një thesar monedhash në Itali. Ai më tregoi disa harta për tre sëndukë dhe më tha që mund t’i ndanim për gjysmë, rreth gjysmë toni monedha”, rrëfeu Pecorelli.

Por gjatë kontrolleve, ai u ndalua në bordin e një gomoneje jo shumë larg ishullit të Montecristo-s. Siç pranon dhe vetë, atë moment kishte me vete lopatë, çanta dhe një kazmë. Aty nuk e mbajti më të vërtetën.

Kur u mor në pyetje, tha se gjithçka kishte nisur si pasojë e problemeve me paratë. Për këto akuza (përfshirë dokumentin e rremë të treguar në hotel), Gjykata e Grosseto-s në Itali e dënoi atë me një vit burg të konvertuar në 12 muaj punë më komunitet në Kryqin e Bardhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë