Gazeta Si – Pas një kalvari të gjatë, me historinë si një skenar të denjë për filma, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë me pranga në duar Davide Pecorelli.
I akuzuar për inskenimin e vdekjes së tij në Pukë rreth 5 vite më parë, Shkalla e Parë e Gjykatës Shkodër e ka dënuar italianin me 4 vite burgim nga 8 që kërkoi Prokuroria, teksa çështja ndodhet ende në Apel.
Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, ndaj tij është caktuar masa “arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Ai u mor në dorëzim sot në Rinas nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe po dërgohet në Institucionet e Ekzekutimeve të Veprave Penale.
Shkak i inskenimit ishin borxhet që ai kishte pas falimentimit të biznesit, duke humbur gjurmët për shumë muaj, derisa u gjet në Itali, ku kërkonte thesarin e Monte Kristos.
Gjykata e Shkodrës e ka dënuar me 4 vite burg Davide Pecorellin më 3 prill të këtij viti, pasi që inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri në janar të vitit 2021.
Në janar të 2021, në një fshat të Pukës, Pecorelli dogji makinën e marrë me qira dhe brenda saj kishte futur disa mbetje skeletore.
Për 9 muaj, autoritetet italiane dhe ato shqiptare e konsideruan të zhdukur biznesmenin, deri sa ky i fundit u lokalizua në ishullin Montecristo.
Pas ndalimit të tij, Pecorelli deklaroi se plani për të inskenuar vdekjen e tij ishte thurur për t’iu shmangur borxheve të shumta që kishte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.