Futboll

Insinje firmos kontratë ëndrrash me Toronton, Interi merr pasuesin e Handanoviç

Janë përcaktuar edhe detajet e fundit mes kapitenit të Napolit, Lorenco Insinje, dhe Torontos, skuadrës së tij të ardhshme. Sulmuesi do të transferohet në MLS në muajin korrik, pasi ka firmosur kontratën në Romë. Një kontratë për 5 vjet e gjysmë me një super pagë prej 11.5 milionë eurosh neto në sezon, plus 4.5 bonuse që lidhen me statistikat individuale (gola dhe ndeshje).

Njoftimi zyrtar do të bëhet më 8 janar. Është një lamtumirë e dhimbshme, por që dukej e paevitueshme, duke ditur që oferta e De Laurentis nuk shkonte më shumë se 3.5 milionë euro, plus bonusin për rinovimin. Shifra shumë larg atyre kanadeze, por edhe kërkesave të njerëzve pranë kapitenit të Napolit.

Insinje ka thënë se në rast largimi nga Napoli do zgjidhte një skuadër që të mos përballej me “axurrët”. Me Toronton ai mund të ndeshet me Napolin vetëm në miqësore, ndërsa Seria A do të humbë një tjetër kampion.

Andre Onana, portieri i ri i Interit. Gazeta Si, 4 janar 2022

Një goditje të mirë ka bërë ndërkohë Interi, që ka marrë me parametra zero portierin Andre Onana. Kamerunasit i skadon kontrata me Ajaksin në fund të sezonit dhe kështu ka pasur lejen e klubit holandez për të biseduar me Interin dhe për të mbyllur marrëveshjen. Onana ka kryer vizitat mjekësore dhe është gati për firmën.

Kontrata e portierit me Interin është 5-vjeçare, por detajet e pagës nuk mund të zbulohen para datës 1 shkurt, sipas rregullit të FIFA-s. Në korrik Onana do të bashkohet me zikaltrit, të cilët kanë siguruar kështu pasardhësin e sllovenit Samir Handanoviç. Interi e kishte bllokuar prej kohësh portierin kamerunas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë