Ekonomi

Inflacioni sipas Eurostat në tetor 4.7%. Çmimet në Shqipëri përtej mesatares europiane

Nga Gazeta 'SI' - Në muajin tetor edhe inflacioni i matur sipas Eurostat pësoi një rënie të lehtë, në 4.7%, me një diferencë të ndjeshme nga matjet e Instat për të njëjtin muaj, 3.8%.

Në raport vjetor sipas kësaj metode, ushqimet, pijet joalkoolike, argëtimi, kultura, hoteleritë dhe shërbimi arsimor, raportohen më të shtrenjta se një vit më parë. E njëjta gjë edhe për matjet mujore nga shtatori në tetor.

Ushqimet dhe pijet kanë shënuar një rritje me 7.7% dhe argëtimi e kultura me 8.5%.

Vjeshta e 2023-shit, riktheu rritjet e inflacionit në vend, ndikuar pjesërisht nga faktorët sezonalë, por edhe nga një rritje e lehtë e çmimeve të naftës, të paktën në raport mujor. Ai vjetor vijon në rënie për shkak të çmimeve shumë të larta të naftës një vit më parë.

Sipas shpjegimit të dhënë nga institucionet statistikore, inflacioni i harmonizuar sipas Eurostat mat ndryshimin e strukturës së shpenzimeve të konsumatorëve sipas produkteve, ndërsa inflacioni që matet nga autoritetet vendase mat ecurinë e çmimeve.

Inflacioni në Shqipëri, krahasuar me vendet e BE-së, nuk renditet më ndër vendet e fundit, por lë pas vende si Gjermania, Suedia, Finlanda etj, duke kaluar edhe mesataren europiane. Mesatarja e inflacionit në BE për shtatorin është 3.6%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë