Ekonomi

Inflacioni shënon rënie në tetor, 2.4%

Inflacioni për muajin tetor 2021 shkoi në 2.4% duke shënuar rënie me 0.1% nga muaji shtator.

Indeksi i Çmimit të Konsumit që mat inflacionin, është shumë më i lartë se një vit më parë, 0.8%.

Rritja e çmimeve të produkteve të konsumit dhe jo vetëm, u zbutën paksa në muajin tetor duke shënuar rënie të lehtë nga shtatori, kur qe vrulli i rritjes së çmimeve globalisht.

Në nivelin e inflacionit për muajin tetor ka ndikuar më së shumti grupi I produkteve të ushqimit dhe pijeve joalkoolike me 1.3%, transporti me 0.3% dhe qiraja, uji, energjia elektrike me 0.2%.

Në raport mujor ka ndikuar transporti me 1.8%, veshje dhe këpucë, argëtim, hotele, ristorante me 0.4%.

Teksa në shumicën e vendeve Europiane rritja e çmimeve ka qenë më e lartë se objektivat e Bankave Qendrore, në Shqipëri treguesi mbetet ende poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë 3%.

Rritja e çmimeve po nxitet nga kërkesa e lartë pas pandemisë dhe rritja e çmimeve në tregjet e importit, por sipas BSH-së, është vetëm rritje e përkohshme dhe nuk do të zgjasë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë