Treg

Inflacioni rritet sërish, 7.4% për qershorin. Ndikimin më të lartë e dhanë ushqimet

Inflacioni në vend shkoi 7.4% në muajin qershor duke arritur nivelin më të lartë të dy dekadave të fundit.

Ai është rritur me 0.7% krahasuar me majin kur inflacioni ishte në nivelin 6.7%. Ndikimin më të lartë në inflacion dhanë ushqimet, për të cilat familjet shpenzojnë 42% të buxhetit dhe karburantet.

Në të njëjtën periudhë të vitit më parë, inflacioni ishte vetëm 1.6%.

Ushqimet kanë ndikuar në rritje me 4.38 pikë përqindje ndërsa transporti me 1.53.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rritja më e madhe e çmimeve vërehet po në transport me 26.9 %.

Brenda grupit të ushqimeve  që u rritën me 12.6% çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me me 30.3 %, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithra” me 19.1 %.

Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë për herë të dytë brenda pak muajsh normën bazë, në një përpjekje për të luftuar inflacionin, që është në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.

Norma bazë është rritur me 0.25 pikë përqindje në 1.25%. Ky është vendimi i dytë pas marsit, ku norma bazë u rrit nga 0.5 në 1%. Në mars u shënua dhe kthesa e parë e politikës monetare nga kahu lehtësues, – tendencë që kishte nisur që nga marsi i vitit 2011- , në atë shtrëngues.

Sejko tha se inflacioni do të shkojë në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë