Ekonomi

Inflacioni në mars arriti 5.7%. Ushqimet dhe nafta ndikimin më të madh

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Mars 2022, arriti 5.7% ndikuar më së shumti nga çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 3.3% rritje.

Inflacioni i marsit është 2.4% më i lartë se sa muaji shkurt 2022, kur nisi lufta dhe tronditi tregjet ekonomike në të gjithë Europën.

Transporti gjithashtu, ka ndikuar me 1.08%, ndjekur nga qiraja, ujë, energjia elektrike me 0.44%.

Në raport vjetor, rritjen më të madhe e ka pasur transporti, me 20%, lidhur kjo me çmimin e naftës. Ndjekur nga ushqimet dhe pijet joalkoolike, me 9.3%.

Inflacionin më të lartë në këtë grup e kanë vajrat dhe yndyrnat me 22.4%. Buka dhe drithërat me 15.8%.

Inflacioni 5.7% është më i lartë ndonjëherë, të paktën për 20 vitet e fundit. Ministrja e Financave dhe Guvernatori i Bankës kanë lajmëruar për një zgjatje të inflacionit, por në një mesatare të 4.5%.

Inflacioni është një tjetër problem i shtuar i ekonomisë botërore momentalisht, përveç krizës gjeopolitike Rusi-Ukrainë dhe problemeve me furnizimin. Në Europë kjo po ndikohet nga rritja e çmimeve të lëndëve energjitike, naftë, gaz, elektricitet etj.

Nafta arriti nivelet maksimale në ditët e para të muajit mars, duke kapur vlerën e 270 lekë/litër në pikat e tregtimit në Shqipëri. Ndërkohë vazhduan luhatjet dhe rritjet e shpeshta në produktet e shportës dhe të gjithë shërbimet e tjera. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për të ardhmen, me biznese dhe konsumatorë, raportoi pritshmëri për rritje të mëtejshme të çmimeve në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë