Futboll

Infantino: T’i përzëmë këta idiotë nga stadiumet, t’i fusim në burg!

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, është treguar shumë i ashpër në lidhje me temën e racizmit në stadimet e futbollit. "Në vitin 2019 nuk mund të jetë e vështirë t’i identifikosh këta persona. Mendoja se nuk ishte më ky problem, por ka pasur episode thuajse çdo javë. Kjo është e papranueshme dhe absurde”, - ka thënë Infantino.

Tri ditë pas atyre koreve raciste të tifozëve të Atalantës kundër Dalbert, presidenti i FIFA-s, Infantino, ka folur për këtë çështje të nxehtë në ceremoninë e dhënies së çmimit të lojtarit më të mirë të 2019-ës në Milano. "Po, duhet të shqetësohemi. Në Itali është një problem i madh racizmi, ashtu si në shumë vende të tjera të botës. Por Italia duhet të jetë një vend modern, civil dhe i dekukuar. Mendoj se aktualisht po lëviz në drejtimin e gabuar”, - ka thënë numri 1 i FIFA-s për “Sky Sport”.

Xhani Infantino, presidenti i FIFA-s. Gazeta Si, 24 shtator 2019

Më tej, Infantino shpjegon: "Nuk duhet t’i përgjithësojmë gjërat, janë gjithmonë një grup idiotësh, që duhen dënuar dhe duhen zhdukuar, në mënyrë që racizmi të mos ketë më vend në shoqërinë tonë. Edhe një idiot i vetëm është i tepërt. Nëse janë një grup, do të thotë se është diçka pa sens. Është absurde që ekzistojnë. Duhen identifikuar këta njerëz dhe duhen futur në burg, duhen përzënë përgjithmonë nga stadiumet. Duhet ndëshkim maksimal. Nuk shoh asnjë motiv pse duhet ta fshehim të vërtetën, të mos flasim për atë që ndodh, por të themi se nuk është situatë e rëndë. Nuk vazhdohet kështu. Duhet luftuar fenomeni, jemi në 2019-ën. Është e papranueshme. Të gjithë duhet të bashkëpunojmë për ta zgjidhur këtë problem. Edhe në Itali, nuk duhet të krijohet përshtypja se është një vend racist dhe diskriminues”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë