Futboll

Infantino i bindur: Në Katar do përjetojmë Botërorin më të mirë të të gjitha kohërave!

Gazeta Si – Pavarësisht problematikave të ndryshme që janë hasur në organizimin e Botërorit, ku kryesorja është ajo e shkeljes së të drejtave të njeriut, Infantino ka një mendim tjetër për Katar 2022. Mijëra punëtorë kanë humbur jetën për ndërtimin e stadiumeve, por për kreun e FIFA-s kjo nuk ka shumë rëndësi.

"Katari është gati, skena është gati. Bashkë do të përjetojmë Kupën e Botës më të mirë të të gjitha kohërave, brenda dhe jashtë fushe". Pak më shumë se një muaj para nisjes së Botërorit 2022, presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, e mendon kështu eventin më të madh futbollistik.

Foto ilustruese. Kupa e Botes zhvillohet ne Katar kete vit. Gazeta Si, 18 tetor 2022

Infantino ka dërguar një video-mesazh në një konferencë shtypi të organizatorëve në Doha, duke vënë në dukje impenjimin e jashtëzakonshëm të këtij vendi, duke sjellë rezultate surprizuese me ndërtimin e stadiumeve dhe projkekteve të tjera të mëdha.

Katari do të presë mbi një milion tifozë, ndërsa biletat e shitura janë rreth tre milionë. Infantino ka vlerësuar reformën revolucionare të Katarit, që sipas tij po e ndryshon për mirë jetën e mijëra punëtorëve.

Kreu i FIFA-s ka theksuar se Kupa e Botës do të jetë "një turne paqeje dhe uniteti, një turne që do të bashkojë botën pas disa momenteve të vështira. Të gjithë do të jenë të mirëseardhur në turne, pavarësisht origjinës, besimit, gjinisë, orientimit seksual dhe kombësisë".

Për hetimet në lidhje me situatën me punëtorët emigrantë që kanë punuar për stadiumet, FIFA ka bërë të ditur se është në bisedime për të bërë të mundur ndihmën e familjeve të atyre që kanë humbur jetën apo janë dëmtuar.

Zëdhënësi Bryan Swanson ka thënë se po bisedohet me qeverinë e Katarit, agjencinë e punës dhe sindikatat ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje për të bërë diçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë