Ekonomi

Industria nxjerrëse në rënie, më pak lëndë të para për ekonominë

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2017, lënda e parë e nxjerrë nga burimet e brendshme natyrore ka shënuar rënie.

Lënda e parë, e cila përfaqëson sasinë totale të materialeve që përdoren direkt në ekonomi, është rreth 21.4 milionë ton për vitin e marrë në studim dhe ka shënuar një rënie me 24,77 % krahasuar me vitin 2016.

Shuma totale e importit të materialeve mjedisore në vitin 2017 ishte rreth 4.2 milionë ton, e cila krahasuar me vitin 2016 është 5,23 % më e lartë.

Eksportet në vitin 2017 arritën një vlerë prej rreth 4 milionë ton, duke pësuar ulje me 0,28 % krahasuar me vitin 2016, ndikim më të madh në uljen e eksporteve në total e kanë dhenë “materialet fosile të energjisë” me 28,53 %. Rritje të eksporteve kanë sjellë “mineralet jo metalike” me 15,2 % dhe “biomasa” me rreth 11,44 %.

Përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore mat sasinë totale vjetore të lëndëve të para që nxirren nga mjedisi, duke marrë në konsiderate dhe bilancin fizik tregtar. Në 2017 përdorimi i brendshëm arriti vlerën e rreth 21.7 milion ton, 23,89 % më pak krahasuar me vitin 2016. Sipas strukturës së tij shohim që pjesën më të madhe e zënë “mineralet jo metalike” me 46,39 %, më pas vijnë produktet e “biomasës” me 42,18 %, “materialet fosile të energjisë” me 6,46 %, “mineralet dhe koncentratet metalike” me 4,25 % dhe “produkte të tjera” me 0,72 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë