Ekonomi

Industria europiane e makinave përgatitet për më të keqen që nga 1945-a

Dëmi i shkaktuar industrisë europiane automobilistike sa vjen e rritet teksa shitjet e makinave franceze ranë akoma e më shumë në mars.

Regjistrimet e makinave të pasagjerëve për herë të parë ranë me 72% krahasuar me vitin e kaluar sipas një raporti të publikuar nga CCFA (shoqata e prodhuesve francezë të makinave e pjesëve të tyre). Ndërkohë Continental AG e Gjermanisë (kompani që prodhon pjesë të brendshme të makinave, si psh sistemin e frenimit, sistemin elektrik të brendshëm, komponentë të ndryshëm për shasinë etj.) ka pohuar se ka mbyllur më shumë se 40% të fabrikave të saj.

“Ka shumë mundësi që shitja e makinave dhe kamionëve të rinj do të marrin goditjen më të madhe që prej 1945”, shprehet Juergen Pieper analist i Bankhaus Metzler (institucion financiar që merret me shërbime dhe konsulta financiare) .

Prodhues të makinave si Volkswagen, PSA Group, Fiat Chrysler Automobiles dhe Renault SA kanë mbyllur fabrika dhe showroom-e pas kufizimeve të vëna nga qeveritë e vëndeve europiane për të moslejuar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

“Prilli do të jetë një muaj shumë i vështirë për ne sepse popullatat do të mbesin të izoluara në shumë vende” shprehet Jacques Aschenbroich drejtues ekzektuiv i firmës, Valeo SA, prodhuese të pjesëve të makinave në radion BFM Business.

“Përgjysmim i kostove”

Firma Continental është shprehur se 30,000 punonjës të saj apo gjysma e forcës së saj punëtore është regjistruar për asistencë shtetërore dhe turne me orare të shkurtuara. Kompania gjithashtu e sheh me shumë pesimizëm të ardhmen duke thënë gjithashtu se në këtë situatë e ka të pamundur për të parashikuar të ardhurat.

Firma Valeo gjtihashtu po bën të pamundurën për të reduktuar investimet e kostot e saj. Ajo ka vënë një pjesë të mirë të stafit duke përfshirë këtu dhe inxhinierët e saj në turne të shkurtuara.

Po rënie ka pësuar dhe numri i blerjeve të makinave në Suedi. Regjistrimet e makinave të reja (pra për herë të parë) kanë rënë me 8.6% në mars.

Burimi: Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë