Irena Beqiraj

Industria duopolitike e Politikës


Kur brezi i prindërve të mi, priste që ndryshimi të vinte nga Partia e sapokrijuar Demokratike, e cila udhëhiqej nga zoti Berisha, unë isha vetëm 14 vjeç. Sot pas 32 vjetësh, brezi im, tanimë në moshën e prindërve të mi dikur, pret sërisht që ndryshimi të vijë nga lideri historik i Partisë Demokratike. Madje në biseda të zakonshme shpesh dëgjoj që vetëm Berisha mund të përmbysë Ramën.
E ndërsa e dëgjoj, kujtohem se të njëjtin arsyetim kam dëgjuar në biseda private me eksponentë të lartë të Partisë Socialiste. Sa herë drejtoja pyetjen “pse zgjodhët pikërisht Ramën kryetar në vitin 2005”, përgjigja ishte “kishim bindjen se vetëm ai mund të përmbyste Berishën”.

Këta reshta nuk janë për analizuar se kush mund të përmbysë tjetrin, nuk jam në gjendje të bëj parashikime kaq të sofistikuara. Në fakt, këta reshta janë një përpjekje për të shpjeguar bazën e suksesit të politikës së dështuar, pavarësisht emrit.

Në analizat e bollshme, të rrjedhëshme e të përditëshme në çdo ekran apo portal, rreshtohet një listë e gjatë faktorësh të cilët përcaktojnë arsyet e dështimit politik. Dominimi i dukshëm i liderëve, ndikimi i interesave ekonomike të grupimeve te veçanta, polarizimi i publikut, përhapja e lajmeve të rreme apo propagandës, përfshirja në politikë e njerëzve pa integritet edhe arrivistë, paaftësia e një brezi të tërë (brezit tim) për të prodhuar qoftë edhe një lider me integritet; të gjitha janë simptoma të dështimit, por jo shkaku i vërtetë i tij. Në fakt, shkaku i suksesit të kësaj politike dhe dështimit të saj për të dhënë rezultate për publikun, qëndron tjetërkund.

Nëse sistemit politik do t’i vendosnim një sinomim “ekonomik”, ai do të ishte fjala “industri”. Thënë këtë, për të analizuar dështimin e politikës, mund të përdoren të njëjtat mjete që përdoren për të analizuar industritë e tjera. Po, sistemi politik që kemi krijuar është një industri private. Sado i çuditshëm apo cinik mund t’ju duket ky përcaktim, politika është në fakt, një industri - ku lojtarët kryesorë të saj janë organizata që ofrojnë më së shumti përfitime private, personale.

Madje kjo industri ka një avantazh që nuk e ka asnjë industri tjetër në ekonomi. Pjesëmarrësit e industrisë politike kanë fatin të kontrollojnë dhe të vendosin vetë rregullat e konkurrencës. Tërësisht të derregulluar dhe të lirë nga çdo mbikëqyrje, duke vepruar në kushtet e duopolit, aktorët politikë kanë pasur gjithmonë mundësi të shtrembërojnë rregullat e konkurrencës në favor të tyre. Akrobacitë e shumta me ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, sa herë që ka zgjedhje janë një shembull i kontrollit të padiskutueshëm edhe të pakufizuar.

Natyra e konkurrencës përcakton masën me të cilën një industri plotëson nevojat e “konsumatorëve” të saj, edhe konkurenca padyshim varet nga struktura themelore e industrisë. Struktura e industrisë politike eshtë një shembull ekselent i një duopoli, pra një industri e dominuar nga dy lojtarë. Dy partitë kryesore, kanë ngritur atë që quhet “kompleks industrial politik”, i cili nuk është gjë tjetër veçse një grup i ndërlidhur subjektesh që mbështesin duopolin. Këtu përfshihen interesa të veçanta, oligarkë, anketues, konsulentë, patranozhistë, media, lobistë dhe të tjerë. Kompleksi industrial politik është biznes i madh. Dhe praktikisht të gjithë lojtarët në kompleksin industrial politik janë të lidhur me njërën nga anët e duopolit, ose me të djathtën, ose të majtën. Dhe kjo kontribon përditë në dështimin e konkurrencës brenda industrisë. Ndërsa “kompleksi politik industrial” zgjerohet, lulëzon dhe rritet sa herë që partia rreth të cilës është krijuar është në pushtet, kombi nuk arrin të përparojë.

Nëse sistemi politik do t’i shërbente interesit publik, siç pretendohet, të gjithë qytetarët do të konsideroheshin “konsumatorët” që duheshin kënaqur. Por kjo nuk ka ndodhur edhe nuk ndodh në industrinë e politikës. Në këtë industri, ne konsumatorët, klasifikohemi në bazë të mënyrës sesi ndërveprojmë me dy monedhat kryesore të saj, me votën dhe paranë. Ndaj, në listat e pronazhistëve ne klasifikohemi në votuesit partiakë; votuesit me interesa të veçanta (psh vendi i punës); financues të fushatave edhe në gjithë votuesit e tjerë. Konsumatorët më të rëndësishëm të industrisë së politikës janë votuesit partiakë, njerëzit me interesa të veçanta dhe financuesit e fushatave. Votuesve të tjerë, megjithëse mund të jenë shumicë, nuk është e nevojshme t’u ofrohet zgjidhje apo politika të kënaqëshme. Me ta do të mjaftonte ridemensionimi i pavendosmërisë së tyre, nëpërmjet krahasimit me kundështarin duke e bindur votuesin “që ti je e keqja më e vogël”? A nuk po kërkojmë edhe sot të keqjn më të vogël, megjithëse nga ana tjertër nuk ka asgjë të re?

Në një industri tjetër normale, injorimi i përmbushjes së nevojave të një grupi kaq të madh konsumatorësh do të çonte në hyrjen te konkurrentëve të rinj, të cilët do të përpiqeshin të ofronin alternativa apo risi në përmbushjen e nevojave të papërmbushura nga pjesëmarrësit aktualë. Por kjo nuk ndodh në industrinë politike. Dhe që kjo të mos ndodhë, janë kujdesur vet “kundështarët”, ku i vetmi rast që ata bashkëpunojnë është përmirësimi i rregullave të industrinë në favor të tyre për të shmangur prurjet e reja dhe për rrjedhojë, konkurrenca e re është shumë e vështirë të shfaqet.

Industria politike është ndër industritë më të sofistukuara me barrierat me të forta të hyrjes. Konkurentët e rinj duhet të përballen me ekonominë e shkallës, me një infrastrukturë elektorale të zhvilluar mirë; me ekspertizë, marrëdhënie të thella dhe në rritje me mediat; akses të privilegjuar në financim; me rregulla dhe praktika zgjedhore që favorizojnë partitë e mëdha; me rregulla qeverisëse që krijojnë kontroll partiak të procesit legjislativ.

Thënë këtë, pavarësisht pakënaqësisë së gjerë dhe rezultateve të dobëta për qytetarin e zakonshëm, duopoli mbetet dominues dhe konkurrenca midis të njëjtëve aktorë do të vazhdojë e pashqetësuar. Dështimi i politikës ka ardhur si rezultat i denatyralizmit të kontolleve dhe balancave normale të konkurrencës së shëndetshme. Dhe pikërisht mungesa e konkurencës së shëndetshme është baza e suksesit të të njëjtëve aktorë politikë.

Kush do të përmbysë Ramën, Berishën, ka rëndësi për votuesin e tyre partiak dhe komplekset industriale politike të ndërtuara rreth tyre. Të gjithë konsumatorët e tjerë të politikës do të përsihaten të gjejnë kush është e keqja më e vogël. Dhe për ta identifikuar atë, do të duhet herëpashere të harrojnë se çfarë ka ndodhur. Fundja, jemi mësuar me këtë proces shprese kot.


Copyright © Gazeta “Si”