Shkencë

Pasi ‘pushtoi’ Hënën, India nis me sukses misionin e saj të parë drejt Diellit

India e ka nisur me sukses misionin e saj të parë vëzhgues drejt Diellit, vetëm disa ditë pasi ky shtet ka hyrë në histori si i pari që është ulur afër polit jugor të Hënës.

Anija kozmike Aditya-L1 është nisur nga Sriharikota në orët e hershme të së shtunës.

Ajo do të udhëtojë 1.5 milion kilometra nga Toka, distancë që përbën vetëm 1 për qind të largësisë mes Tokës dhe Diellit.

Agjencisë Hapësinore të Indisë do t’i duhen katër muaj për ta përshkuar atë rrugë.

Misioni i parë indian për ta studiuar objektin më të madh të sistemit diellor, e ka marrë emrin sipas Surya – që në gjuhën hindu do të thotë Diell, i cili njihet edhe si Aditya.

Sipas Agjencisë Evropiane të Hapësirës, pika Lagrange, ku synon të arrijë misioni indian, është vend ku forcat gravitacionale të dy objekteve të mëdha – në këtë rast Tokës dhe Diellit – e anulojnë njëra-tjetrën, duke i mundësuar anijes kozmike qëndrimin “pezull”.

Kjo nënkupton që sateliti do të ketë nevojë për shumë pak karburant që të mund të operojë.

Anija kozmike do të duhet të udhëtojë disa herë rreth Tokës, para se të niset drejt pikës kritike.

Prej atij pozicioni, shkencëtarët do të mund ta shohin Diellin vazhdimisht – edhe kur fshihet gjatë një eklipsi – dhe të kryejnë hulumtime.

Autoritetet indiane nuk kanë treguar sa do të kushtojë misioni, mirëpo sipas disa raportimeve në shtypin indian, shifrat mund të arrijnë në 46 milionë dollarë. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë