Drejtësia

Inceneratori i Tiranës, 4 të arrestuar dhe tre në kërkim. Në akuzë edhe Lefter Koka e Alqi Bllako

Gazeta Si - Nga 15 urdhër-arrestet e lëshuara mbrëmjen e të premtes nga SPAK për inceneratorin e Tiranës, janë vënë në pranga 4 persona dhe shpallur në kërkim 3 të tjerë, mes tyre Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Me dyshimet se kanë abuzuar me detyrën, në masë “arresti në burg” janë vendosur zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës, si dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit.

“Arrest në burg” është caktuar për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranë, masa ndaj të cilit është ekzekutuar.

Po ashtu, masa e sigurisë “arrest me burg” është ekzekutuar për Namik Simixhiun, Bledar Karolin dhe Jetmir Llapajn, të cilët akuzohen për abuzime me koncensionin e inceneratorit të Tiranës. I shpallur në kërkim është Erjon Murataj, i cili ndodhet jashtë vendit.

SPAK po e heton këtë dosje për 4 akuza, “korrupsioni, shpërdorimi i detyrës, pastrim parash dhe mashtrim me pasoja të rënda”.

Në të njëjtën masë janë vendosur edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-Sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako.

Koka Dhe Bllako, prej më shumë se një viti në burg, akuzohen edhe për aferën e inceneratorit të Elbasanit.

Gjithashtu nën hetim edhe për koncesionin e inceneratorit të Tiranës janë vënë edhe 2 biznesmenët, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të dënuar për korrupsion dhe pastrim parash edhe në dy koncensionet e tjera dhe të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Për biznesmenin Klodian Zoton, është urdhër-arresti i tretë që lëshon prokuroria, ndërsa për Mirel Mërtirin, i dyti.

Nën akuzë janë vënë edhe 10 persona të tjerë, anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit.

Katër prej tyre janë gra, të cilat janë lënë në “arrest shtëpie”. Hetimet e SPAK gjetën lidhje sërish mes zyrtarëve të përfshirë, ashtu si në procedurat e tjera të inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.

Më herët, SPAK ka vendosur sekuestro ndaj inceneratorit të Tiranës, pasi nga hetimi paraprak zbuloi se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të.

Arrest në burg është kërkuar për: Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Jetmir Llapaj.

Ndërsa është kërkuar arrest shtëpie: për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë