Drejtësia

Inceneratorët, GJKKO rrëzon kërkesën e Lefter Kokës për bashkim të dy dosjeve

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e ish-ministrit të Mjeisit Lefter Koka, i arrestuar për shpërdorim detyre për çështjen e inceneratorëve, ku ka kërkuar bashkim të dosjeve për të cilat po gjykohet.

Avokati i ish-ministrit Lefter Koka kërkoi më herët gjatë seancës paraprake që të bashkohen dosjet e çështjeve të inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit, por GJKKO refuzoi.

Ndaj ish ministrit Koka janë lëshuar dy masa sigurie “arrest në burg” për dy aferat e inceneratorëve në fjalë.

Sipas avokatit, u kërkua të bashkohet gjykimi nën argumentimin se çështjet janë në të njëjtën fazë dhe pothuajse janë të njëjtët të pandehur. Ndërkohë që seanca për inceneratorin e Fierit, u shty për në datën 1 shkurt.

Sipas SPAK, Koka ka lejuar përfitime të padrejta nga ana e pronarëve të kontratës së koncesionit, e cila u lidh përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë pa shpallje nën justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Gjithashtu, SPAK argumentoi se Koka në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare përfitime të parregullta monetare në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara prej tij apo familjarëve.

Aktualisht, në pritje të përfundimit të hetimeve, ku nodhet në paraburgimin e Durrësit ish-deputeti socialist Alqi Bllako, i cili akuzohet po ashtu për të dy inceneratorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë