Kombetarja

Inaugurimi me “dhunë” i stadiumit, dëm fushës dhe imazh i shëmtuar

“Air Albania Stadium” duhej të inaugurohej patjetër ndaj kampionëve të botës dhe kështu ndodhi mbrëmjen e së dielës. Që do të kishte defekte, nuk diskutohej, por mendohej për probleme të vogla, që nuk do të ndikonin në mbarëvajtjen e spektaklit dhe ndeshjes dhe që nuk do të prishin punë për impiantin e sapondërtuar, një investim i madh që mori jo pak vëmendje edhe nga mediet e huaja.

Megjithatë, u kuptua shumë lehtë se për inaugurimin me “dhunë” të stadiumit të ri u kapërcyen disa faza pune të rëndësishme, që para syve të presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin, nuk do të kenë lënë shije të mirë dhe organizimi i mundshëm i një finaleje europiane në Tiranë mund të vonojë akoma, pavarësisht diplomacisë së sllovenit. Gjithçka kërkon kohën e vet. Me sy të lirë u pa gjendja skandaloze e fushës, që krijoi probleme që në minutat e para. Të gjithëve u bëri përshtypje që copa të mëdha bari shkëputeshin nga tapeti dhe dilnin shumë lehtë nga vendi. Kjo do të thotë se cikli i mbjelljes së bari nuk kishte përfunduar ende dhe zhvillimi i ndeshjes në atë tapet me siguri e ka dëmtuar. Një kokëfortësi, që patjetër ka edhe kosto financiare. Imazhet në kamera të barit të dëmtuar ishin shumë të shëmtuara për tifozët, por edhe për lojtarët që nxitonin t’i vendosnin në vend.

Momenti kur tifozët u "vaditën" para ndeshjes. Gazeta Si, 18 nëntor 2019

Pati edhe probleme të tjera teknike, që në një ndeshje të rëndësishme kanë peshë, si për shembull “shiu” mbi tifozët para ndeshjes nga vaditëset e barit, të graduara gabim. Po ashtu, edhe me orën elektronike pati probleme dhe janë gabime që nuk mund të kalojnë pa u vënë re. Nga përfaqësuesit e shtypit sportiv në vend pati shumë pakënaqësi në lidhje me akreditimin.

Edhe koreografia që i parapriu ndeshjes pati problemet e saj, sepse me siguri edhe ajo është bërë në kohë rekord, me prova të pamjaftueshme. Ndriçimi, veçanërisht në momentin kur në fushë doli këngëtarja Era Istefi, ishte shumë i dobët, saqë nuk dukej asgjë. Edhe në pjesën e koreografisë me fëmijët dukej qartë se nuk kishte koordinim të saktë. Sigurisht, problemet e koreografisë janë më pak të rëndësishmet, por janë detaje që duke iu shtuar edhe problemeve të tjera, bënë që inaugurimi të linte për të dëshiruar.

Shumë mirë inaugurimi i “Air Albania Stadium” mund të bëhej më vonë, kur gjithçka të ishte plotësisht gati, ku prizat e korentit për kamerat në fushë të mos vendoseshin ditën e fundit. Mund të ishte organizuar, për shembull, një miqësore luksi në nëj moment tjetër, kur të gjitha punimet të ishin të përfunduara dhe spektakli të ishte i organizuar më mirë. Fusha nuk do të dëmtohej, ndërsa tifozët nuk do të lageshin dhe do të kënaqeshin më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë