Sociale

Impianti i ri i Bovillës, Rama: Dyfishon ujin e pijshëm në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në impiantin e ri të trajtimit të ujit të pijshëm në Bovillë ku ka bërë me dije se falë këtij investimi dyfishohet furnizimi me ujë të pijshëm për Tiranën.

Rama tha se deri në 2013 mesatarja e furnizimit me ujë të pijshëm për zonat urbane ishte 7 orë/ ditë teksa vetëm 7 zona urbane kishin ujë 24 orë. Por ai premtoi se deri në shtator të 2021 do të jenë 62 zona urbane që do të kenë ujë të pijshëm në 24 orë të ditës.

”Fakti është që në vitin 2013 numëroheshin në nivel kombëtar, në zonat urbane që janë dhe zonat edhe të mbipopulluara në një pjesë të rëndësishme të ndryshimeve demografike, 7 orë/ ujë furnizim në ditë. Jo 700 vjet më parë, as 70 as 17, por 7 vjet më parë. Ne e nisëm këtë si me rrugët. Por me rrugët jemi mësuar të flasim më shumë. Me rrugët është bërë më shumë propagandë se janë falsifikuar e gënjyer më shumë, janë bërë më shumë shirita, tendera etj. Pasi kemi bërë analizën për situatën e ujit në Shqipëri. Ka pasur 28 strategji kombëtare para vitit 2013 për ujin në Shqipëri. Ne sot jemi në kushtet kur po investojmë në 55 zona urbane. Nga 7 zona që deri në 2013 numëroheshin si zona plotësisht të furnizuara me ujë. Faktikisht në 50 zona urbane mbeten jashtë listës së përgjithshme, vetëm 7 të tjerë. Ne shkojmë në 62 zona urbane të Shqipërisë që do furnizohen me ujë në 24 orë deri në shtator të 2021”, tha Rama.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se do të punohet për ta çuar filtrimin e ujit në Tiranë në 100%.

“Do ta çojmë në 100% filtrimin e ujit në Tiranë. E di që ka shumë veta që thonë se u rrit çmimi, por le ta çmitizojmë, çmimi tani është 65 lekë. Duhet të bëjmë një punë kapilar, nëse nuk bëjmë dyfishimin e ritmit, për të ruajtur dhe rikuperuar humbjet nuk do t'ia dalim. Presim të fitojmë kampionatin tonë të tretë. Është hera e parë që kemi një shërbim 24 orë në 24 për klientin, është linçuar një numër zyrtar që regjistrohet çdo gjë. Do të ketë probleme me ata që tubat i kane që në kohën e xhaxhit”, u shpreh Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë