Drejtësia

Ilir Paja do ta vuajë dënimin në Shqipëri, gjykata njeh vendimin e drejtësisë italiane me 25 vite burg

Gazeta Si - Ilir Paja do të vuajë dënimin në burgjet shqiptare. Gjykata e Tiranës ka njohur përfundimisht dënimin e dhënë nga drejtësia italiane për ekspertin e arratisjeve, i cili është dënuar me 25.4 vite burg në total për disa vepra të rënda penale.

Duke zbritur 4 muaj e 26 ditë paraburgim, Ilir Paja do të vuajë përfundimisht 24 vite, 8 muaj e 20 ditë burg për akuzat e vrasjes, përdhunimit, pengmarrjes dhe armëmbajtjes pa leje.

I konsideruar si një nga personat më të kërkuar nga policia, ai qëndroi për 5 vite në arrati, pasi u lirua nga ish-gjyqtarja Enkeleida Hoxha në vitin 2017, teksa ishte duke vuajtur një dënim prej 17 vjetësh për plagosjen e një punonjësi policie në vitin 2008 në Tiranë.

Ilir Paja u arrestua në fillim të nëntorit 2022 në zonën e Laprakës, pasi ishte në kërkim nga autoritetet italiane pas arratisjes nga burgu i Peruxhias, duke përdorur si litarë disa çarçafë të lidhur së bashku.

Ai u dënua me 25 vjet burg për një krim të kryer në Milano të Italisë, ku mbeti i vrarë shtetasi ekuadorian, Ramires Saca Louis Gonzalo dhe u plagos Orellana Calle Jose Enrique.

Sipas dosjes italiane, fillimisht Ilir Paja është arrestuar në Itali në 27 prill 2006 në zonën e Peruxhias, pasi autoritet gjermane, kishin lëshuar në 20 korrik 2005 një mandat arresti për të, pasi e akuzonin për vrasje.

Nga data 27 korrik 2006, kur është arrestuar për llogari të Gjermanisë dhe deri në 11 qershor 2006, Paja rezulton të jetë mbajtur në ambientet e burgut të Peruxhias.

Por teksa kishte nisur gjyqi për ekstradimin e tij në Gjermani, në datën 11 qershor, Paja, ka mundur të arratiset, duke u strehuar në qytetin e Milanos.

Për shkak se u përfshi në një vrasje të ndodhur në 2 shtator 2006, policia Italiane mundi ta arrestojë në 4 shtator.

Pikërisht nga kjo datë, Ilir Paja ka qëndruar i arrestuar deri në 14 gusht 2007, pasi teksa po e transportonin me ambulancë nga Livorno për në burgun e Carinolas në Itali, ka arritur të arratiset përsëri.

Përmes hetimeve të kryera nga autoritet italiane, është provuar se Paja, ka mundur të dalë nga territori Italian, duke u futur në Shqipëri, ku ka qëndruar i strehuar.

Paja u arrestua në nëntor të 2022 në Tiranë, në një dyqan berberi në Laprakë. Ai është strehuar për një kohë të gjatë tek disa të afërm të tij.

Gjatë arrestimit, policia i sekuestroi dhe një shumë prej 5 mijë eurosh. Nga hetimet doli se 3 muaj i janë dashur policisë të vërtetojë se personi që mbanin në përgjim, ishte i shumëkërkuari nga drejtësia italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë