Ngjarje

Arrestimi i ‘Ufo’-s në Tiranë, Ilir Paja mbahej nën vëzhgim prej muajsh dhe iu përgjua telefoni

Gazeta Si - Pas 5 vitesh arrati, Ilir Paja është arrestuar mbrëmjen e të premtes në zonën e Laprakës nga Njësia Speciale “Fast Albania”, në bashkëpunim me Interpol Tirana.

I njohur ndryshe edhe me nofkën “Ufo”, 49-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person shumë i kërkuar nga autoritetet Italiane.

I shumëkërkuari i drejtësisë u kap në një lokal të zonës së Laprakës, teksa mbahej nën vëzhgim të rreptë për gati 3 muaj.

Operacioni

Burime paraprake bëjnë me dije se agjentët kishin informacione të siguruara në rrugë operative se strehohej pikërisht në këtë zonë të kryeqytetit tek të afërm të tij.

Gjatë kësaj kohe, Njësia Operacionale mbante në vëzhgim ambientet që Ilir Paja frekuentonte, si dhe ishte vënë në përgjim për të vërtetuar nëse ishte i njëjti person ose jo.

Pikërisht mbajtja nën përgjim e njërit prej numrave telefonik që Paja përdorte, çoi edhe në zbulimin e vendeve ku ai qëndronte.

Mësohet se 49-vjeçari përdorte dokumente të rregullta, ndërsa gjatë arrestimit i është sekuestruar dhe një shumë prej 5 mijë eurosh.

Dënimi

Gjykata e Apelit të Milanos, e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje të punonjësve të policisë, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.

Ai kishte mundur të arratisej nga Burgu i Peruxhias, duke përdorur si litarë disa çarçafë të lidhur së bashku, teksa vuante dënimin për dy vrasjet.

Paja gjithashtu ka qenë i dënuar me 16 vite burg për plagosjen e rëndë të një efektivi të njësisë operacionale të policisë me 6 mars të vitit 2008 në Tiranë, por kishte mundur ishte liruar me vendim të ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.

Ngjarja ndodhi në rrugën e Dibrës teksa në momentin e ndërhyrjes së policisë, në tentativë për t’u larguar, i kërkuari përplasi dhe plagosi rëndë efektivin e policisë Blendi Haxhimali.

Arratisjet e “Ufo”-s

Gati një dekadë më parë, Ilir Paja ai mori nofkën “Ufo” nga policia italiane. Shkak u bënë dy arratisjet spektakolare të tij nga burgje të sigurisë së lartë në vendin fqinj.

Para disa vitesh Paja u largua nga burgu i Fushë Krujës, por jo sipas stilit që e bëri të famshëm.

Pas gati 10 vitesh burgimi, ai u lirua nga qelia në zbatim të një vendimi gjykate. Ishte Gjykata e Krujës ajo që pranoi kërkesën e tij për liri me kusht.

Sipas vendimit, Paja duhet të qëndrojë në shtëpi dhe të mbante kontakte me zyrën e Shërbimit të Provës.

Ai po vuante dënimet me burg, dhënë nga dy vendimet të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Në vitin 2010 “Ufo”-ja i italiane u dënua me 15 vjet burg për ngjarjen e marsit 2008, kur përplasi me mjetin e tij “Fiat” një punonjës policie gjatë operacionit për arrestimin e tij. Shkalla e Parë e fajësoi për tentativë vrasjeje.

Apeli ndryshoi vendimin, duke e dënuar atë me 6 vjet e 8 muaj burg për akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”.

Në vitin 2011 Paja mori një dënim me 15 vjet e 4 muaj burg, duke u deklaruar fajtor për një sërë veprash penale të kryera prej tij në Itali.

Ai u gjykua në bazë të materialeve hetimore të përcjella me letërporosi nga autoritetet italiane.

Sipas gjykatës, veprat penale për të cilat dyshohet të jenë kryer nga Paja janë regjistruar në datat 2, 3 dhe 4 shtator 2006 në Milano, Itali.

Në këtë gjykim, ai u fajësua për “vrasje”, “rrëmbim ose mbajtjes peng të personit”, “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai ka përfituar disa herë ulje të dënimit, sipas ligjit, për sjellje të mirë në burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë