Drejtësia

ILD kërkon shkarkimin e prokurores së dosjes “184”: Zvarriti hetimet dhe nuk verifikoi mbi 300 kallëzime

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin e prokurores së Dibrës, Belina Zeneli, njëra prej dy prokurorëve të këtij rrethi që hetoi edhe dosjen e bujshme “184”.

Në hetimin e ILD thuhet se nga 2013-ta deri në 2021, kjo prokurore ka shkelje të shumëfishta gjatë ushtrimit të detyrës së saj, që nga zvarritja e pajustifikuar e hetimeve e deri te moskryerja e asnjë veprimi verifikues në rastin e 300 kallëzimeve.

“Si pasojë e veprimeve e mosveprimeve të magjistrates, nuk i janë dhënë zgjidhje ligjore 33 procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime”, thotë ILD.

ILD ka gjetur se magjistratja ka zvarritur hetimet paraprake duke mos i kryer veprimet hetimore në kohë dhe në dinamikë për periudha kohore të gjata, tej afateve procedurale dhe pa pasur arsye ligjore.

“Shkeljet proceduriale të kryera nga magjistratja, provohen të jenë kryer me dashje direkte. Kjo bazuar në formimin dhe eksperiencën e gjatë si prokurore, si dhe për faktin se për këto lloj shkeljesh, ndaj saj në vitin 2014 është dhënë masa disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, vijon njoftimi.

Kërkesa e ILD është depozituar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për vendimmarrje. Prokurorja Belina Zeneli hetoi dosjen e bujshme “184” së bashku me prokurorin Rifat Kojku. Dosja “184” ishte dosja e përgjimeve për shitblerjen e votave para dhe gjatë zgjedhjeve vendore për Bashkinë e Dibrës në 2016-të.

Kjo dosje u dorëzua fillimisht te ish-Prokuroria për Krimet e Rënda, që nuk gjeti elementë të një grupi të strukturuar kriminal, duke shpallur moskompetencë dhe çështja kaloi në Prokurorinë e Dibrës në gusht të 2019-s. Me ngritjen e SPAK, dosja kaloi sërish në Tiranë, por edhe SPAK e riktheu në Dibër me të njëjtin arsyetim.

Edhe për këtë dosje pati akuza nga Partia Demokratike për zvarritje të qëllimshme të hetimeve nga ana e Prokurorisë. Çështja shkoi për gjykim vetëm në dhjetor të 2020-s, katër vite pas zgjedhjeve të Dibrës dhe pas ping-pongut mes SPAK me Prokurorinë e Dibrës.

Prokuroria mori të pandehur 4 ish-zyrtarë rajonalë, të cilët dolën edhe në përgjimet e “Bild” me akuzat shpërdorim detyre deri ne kanosje të zgjedhësve.

Të pandehur u morën dhe dënuan Robert Aga ish-shef komisariati në Dibër, akuzuar për shpërdorim detyre, Drini Gjeci ish-drejtor i Arsimit, akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve, Nuri Meda, zyrtar në njësine administrative Tomin akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe Hasan Hoti Njësia administrative Lurë, akuzuar për kanosje të zgjedhësve.

Për të akuzuarit e tjerë që ishin pjesë e këtyre përgjimeve, si ish-kryebashkiaku i Dibrës, Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, Afrim Mikli, prokuroria kërkoi pushimin e çështjes me arsyetimin se ishin tejkaluar afatet për akuzat e ngritura ndaj tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë