Më 15 shtator Milani do të hapë një faqe te re. Me tri javë vonesë nga fillimi i kampionatit, do të startojë Milani i trajnerit Xhampaolo. Milani i javëve të para, për shkak të lojtarëve të ardhur në merkato dhe më pas të dëmtuar, apo atyre që u bashkuan me vonesë me grupin, ishte akoma ai i Gatuzos. Skuadra “e vjetër” do të lihet mënjanë tashmë.
Teo Hernandez do të jetë patjetër titullar, jo më kot u këmbëngul aq shumë për ta blerë në verë dhe u shpenzuan 20 milionë euro. Ndryshimi tjetër pak i befasishëm do të jetë aktivizimi i Duartes. Ai nuk është marrë në konsideratë deri tani, sepse ka zhvilluar pak seanca stërvitore me kuqezinjtë dhe pak a shumë i ka kuptuar detyrat e reja që do të ketë në Serinë A, në krahasim me atë që ka bërë në Brazil.
Organizatori është një rol shumë i rëndësishëm për skemën e trajnerit Xhampaolo dhe për të është algjeriani Benaser ai që ka karakteristikat ideale. Një mesfushor i ri, teknik dhe elegant, dinamik dhe modern në stilin e lojës. Për Paketën, Xhampaolo ka menduar të bëjë një rol të ndërmjetëm, gjysmë mesfushor dhe gjysmë sulmues, por i disiplinuar dhe jo “brazilian”, siç ka bërë deri tani. Në sulm do të kthehet tredhëmbëshi, ku Rebiç bëhet menjëherë titullar në të majtë. Reparti i avancuar do të plotësohet me Suson ose Bonaventurën dhe Piatek.
Qendërsulmuesi polak i Milanit duket se po vuan “mallkimin” e numrit 9. Është në krizë për momentin dhe siç e ka pranuar edhe vetë, shokët e skuadrës i kanë propozuar të ndërrojë numrin në fanellë për t’u zhbllokuar. Nuk është një shaka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.