Futboll

Ikardi, Higuain dhe Xheko, paradoksi i 300 golave “të padëshiruar”

“Bomberat” janë mbretërit e merkatos. Ata ngacmojnë fantazinë e tifozëve dhe boshatisin portofolin e presidentëve të klubeve. Sepse ata që shënojnë golat dhe vendosin ndeshjet, kanë një vlerë superiore ndaj të tjerëve. Kjo vlen edhe në epokën e çmendurive për mbrojtësit e qendrës, por merkatoja e kësaj vere ka krijuar një paradoks të madh në Itali.

Interi, Juventusi dhe Roma duhet dhe duan të çlirohen nga tre sulmues të rrezikshëm të zonës së rreptësisë, siç janë Mauro Ikardi, Gonzalo Higuain dhe Edin Xheko. Nëse Napoli blen Ikardin, futet edhe ai në këtë lojë, sepse duhet të shesë më pas patjetër Arkadius Milik, golashënuesin më të mirë të sezonit të fundit për ekipin e trajnerit Ançeloti. Duke marrë në konsideratë vetëm Serinë A, Ikardi ka shënuar 121 gola, Higuain 117 dhe Xheko 62, të tre bashkë saktësisht 300 gola. Kjo shifër bëhet 558, po të llogariten edhe golat që kanë shënuar në kampionate të tjerë ku këta tre sulmues kanë luajtur. Dhe tani janë “të padëshiruar”.

Mauro Ikardi

Mauro Ikardi ka mbetur jashtë projektit të Interit, që ka mbajtur një qëndrim kurajoz, por që rrezikon të zhvlerësojë një aset, që nuk do të ketë më klauzolën e 110 milionë eurove. Vlera e tij do të bjerë ndjeshëm dhe klube të tjera janë gati ta rrëmbejnë, me Juventusin të parin në radhë, edhe pse Uanda ka disa impenjime televizive në Milano, ku kanë blerë edhe një shtëpi të re disa miliona euro.

Higuain dhe Ronaldo

Higuain, edhe pse është pritur mirë nga tifozët e Juventusit, nuk do të qëndrojë te bardhezinjtë, ku është kthyer pas një sezoni frustrues mes Milanit dhe Çelsit. Vërtet me Sarrin trajner ai ka regjistruar te Napoli rekordin e 36 golave, por në Torino janë edhe Kristiano Ronaldo, Dibala, Kin dhe Manxhukiç, me këtë të fundit drejt largimit dhe me Ikardin që mund të afrohet së shpejti. Dhe Sarri sigurisht që do të preferonte ish-kapitenin e Interit, pasi është 6 vjet më i ri se Higuain.

Edin Xheko

Roma duhet ta shesë menjëherë Edin Xhekon, sulmuesin 33-vjeçar, për të evituar faktin që boshnjaku në janar të arrijë ndonjë akord me një klub tjetër dhe verdhekuqtë të mos fitojnë asnjë qindarkë. Xheko nuk e ka rinovuar kontratën, që i skadon në 2020-ën dhe Konte e kërkon tek Interi, ndaj dhe ka nisur mundja e dorës mes zikaltërve dhe Romës.

Tre klubet e mëdha mund t’i zgjidhin problemet e tyre me një “tango”, që do të çonte Ikardin te Juventusi, Higuainin te Roma dhe Xhekon tek Interi. Kandidat për Ikardin është edhe Napoli, që në këtë rast duhet të sistemojë polakun Milik, duke qenë se ka në grup edhe Insinjen, Kalehonin dhe Mertensin. Milani është i qetë për sulmin, ku ka të gatshëm Piatek, Silvën dhe Kutronen, të tjerët duhet të sqarojnë çështjen e largimit të sulmuesve të përmendur më lart.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë