Futboll

Igli Tare me mision në Madrid, gati të rrëmbejë talentin e Realit

Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, është gjithmonë në lëvizje, në kërkim të lojtarë të njohur dhe të panjohur. Misioni i tij i fundit është një futbollist i Real Madridit dhe për këtë ka udhëtuar drejt Spanjës. Ai është mesfushori Dani Sebajos. Tare po i bën llogaritë me ta ardhurat që Lacio do të përfitojë nga shitja e mesfushorit Sergej Milinkoviç-Saviç, i kërkuar më shumë nga Mançester Junajtid në këtë moment.

Merkatoja e Lacios lidhet drejtpërdrejt me futbollistin serb. Është një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vetë mesfushorit dhe për klubin italian. Nëse Milinkoviç-Saviç do të shitet në Angli, shumën e përfituar Tare do ta shpenzojë menjëherë për të bërë tri blerje të fuqishme. Në të kundërt, klubi bardhekaltër do të mbetet te 4 afrimet e deritanishme, Adekanie, Vavro, Laxari dhe Xhoni. Mund të bëhet edhe një afrim i pestë, që do të forcojë mbrojtjen, ku më të preferuarit janë Soumaoro dhe Nsoki.

Sergej Milinkoviç-Saviç

Milinkoviç-Saviç po stërvitet në Formelo për momentin dhe të premten do të niset bashkë më skuadrën për fazën përgatitore. Por gjithçka varet nga zhvillimet në merkato. Mjaft e interesuar kohët e fundit ka qenë PSG-ja, që tashmë duket se ka hequr dorë nga serbi. Pista më konkrete tani është Mançester Junajtid, por edhe në këtë rast ka një nyje që duhet të zgjidhet. Klubi anglez duhet të shesë Pol Pogbanë te Reali, që më pas të kërkojë zyrtarisht Milinkoviç-Saviç nga Lacio. Ka edhe diçka tjetër, Lotito kërkon 120 milionë euro për mesfushorin, kurse Mançesteri ofron 75 milionë euro. Për zhbllokimin e situatës pritet që të mbërrijë në Romë agjenti i lojtarit, ish-sulmuesi Mateja Kezhman, i cili do të provojë të bëjë ndërmjetësin mes palëve për të shkurtuar distancën aktuale mes Lacios dhe Mançesterit.

Mesfushori i Real Madrid, Dani Sebajos

Igli Tare ndërkohë ka qenë të martën në Madrid, me misionin për të negociuar për mesfushorin e Realit, Dani Sebajos. Me të ardhurat nga shitja e mundshme e Milinkoviç-Saviç, Tare mund të rrëmbejë talentin e Realit, të kërkuar me ngulm edhe nga Milani. Bëhet fjalë për një huazim me të drejtë blerjeje për shifrën e 30 milionë eurove. Jo vetëm kaq, pasi Tare mund të bëjë edhe dy blerje të tjera me të ardhurat nga shitja e lojtarit serb, por për momentin nuk ka emra të tjerë konkretë. Drejtuesi shqiptar ka treguar se ia del në situata të tilla, duke fituar duelin me klube të tjera të njohura për lojtarë të shumëkërkuar, siç ka ndodhur me brazilianin Hernanes apo edhe me mbrojtësin De Vrij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë